Episodi i parë për këtë sezon të ri të emisionit “Shqip nga Rudina Xhunga” që do të transmetohet të henen, do të jetë edhe i fundit. Burime të sigurta nga Top Channel tregojnë për BW se programi më i vjetër i televizionit, “Shqip nga Rudina Xhunga” nuk do të shfaqet për një kohë të pacaktuar.

Thuhet se Xhunga do të nis përgatitjet për një format të ri, por ende nuk dihet nëse do të vijojë nën emrin klasik “Shqip”, apo do të sjellë diçka krejtësisht të re.

“Shqip” është emisioni I parë që ka dalë në transmetim në Top Channel në 3 Maj të vitit 2002. I hartuar për të qënë një program socio-politik, pronari I ndjerë I televizionit, Dritan Hoxha, ia besoi drejtimin dhe realizimin, gazetares më të suksesshme të momentit në këtë lloj profili, Rudina Xhungës, e cila asokohe moderonte programin politik primetime “Dritare” në RTSH.

Që në episodin e parë me një intervistë me kryetarin e opozitës atëherë, zotin Sali Berisha programi kapi kulme shikueshmërie, për të vijuar me një tjetër debat tepër të nxehtë, që do sillte edhe ftohjen (që vazhdon ende e kësaj dite) midis dy miqve të ngushtë, kryetarit të bashkisë Edi Rama dhe publicistit Fatos Lubonja. “Shqip” nisi politikisht, por nuk u mbështet asnjëherë vetëm në ngjarje politike dhe në të ftuar politikanë. Rudina Xhunga, nëpërmjet trajtimit të çeshtjeve të ndryshme shoqërore deri edhe në hetime të mirëfillta, arriti të zbardhte edhe skandale që do të ndryshonin shumë gjëra në mënyrën se si trajtoheshin shqiptarët.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: