Kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka ardhur drejt finalizimit edhe në qytetin e Shkodrës me diplomimin e kursantëve që morën pjesë në këtë edicion. Në ceremoninë e rastit të organizuar sot me grupin e të diplomuarve ishin të pranishëm drejtues të Sektorit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar dhe janë kujdesuar për mbarëvajtjen e këtij programi për formimin e profesionistëve të rinj të trajningut.

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C nisi më 27 mars të këtij viti dhe zgjati për rreth 3 muaj, teksa të gjitha leksionet janë zhvilluar në qytetin e Shkodrës nën kujdesin e SHRF Shkodër. Sipas direktivave të UEFA-s, “licenca” duhet të shkojë te trajneri, për të pasur një shpërndarje të këtij kursi në të gjithë vendin dhe për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e trajnerëve.

Në këtë kurs morën pjesë 33 kursantë, të apasionuar pas sportit më popullor në Shqipëri, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e futbollit dhe të kualifikohen me një licencë fillestare siç është ajo e ‘UEFA C’.

1 qershori shënoi edhe ditën e fundit të kursit për 33 kursantët, mes të cilëve tre ishin vajza, teksa sot pjesëmarrësit patën mundësi të tërhiqnin edhe kartën e licencimit në shkodër. Drejtori i Shkollës së Trajnerëve, Sulejman Starova i uroi shumë suksese të gjithë të licencuarve dhe i ftoi të ndjekin ëndrrën e tyre dhe të bëhen trajnerë në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb