PUKË- Vendimi i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit në zonat e banuara konsiderohet dhe nga vendorët si shpëtim për dhjetëra familje të përfshira në drama sociale si pasojë e bixhozit.

Kreu i bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj thotë se vetëm në zonën që mbulon kjo bashki, familjet që kanë një pjesëtar që frekuenton lojërat e fatit ka mesatarisht 20 mijë lekë minus në buxhetin e saj.

Sakaq lojërat e fatit sipas Gjonajt është dhe shkaku kryesor i dhjetëra divorceve.

“E konsideroj si një ditë të bardhë vendimin e qeverisë për t’i dhënë fund lojërat e fatit, këtij burgu të errët për dhjetëra familje shqiptare. Ka qenë pikërisht bixhozi shkaku i dhjetëra dramave familjare e divorceve, pasojat e të cilës po i vuajnë shumë fëmijë. Edhe në Pukë lojërat e fatit kanë qenë një tmerr. Familjet të cilat kanë pasur një anëtar të familjes frekuentues të tyre kanë konsumuar nga buxheti dhe madje dhe kanë marrë borxh”, tha kryetari i Bashkisë së Pukës.

Gjonaj i bëri komentet teksa inspektoi punimet për banesat sociale të cilat bashkia e Pukës në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave po i ndërton për 24 familje të pastreha të qytetit verior.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb