NGA KLODIANA LALA* TIRANË- Pas dhjetëra raporteve për kushte të papërshtatshme të burgut 313, sot qelitë e tij janë boshatisur në pritje të rikonstruksionit. Prej ditësh në këtë paraburgim, të vetmit që enden dyerve të kësaj godine janë pak policë që e ruajnë ngrehinën dhe grupet e punëtorëve, që kanë nisur tashmë nga puna. Shkrime në mur, skelete krevatesh të shkatërruar, tek-tuk ndonjë send personal i të paraburgosurve, ushqime të hedhura aty-këtu, janë “dëshmitë” e vetme, që tregojnë se brenda godinës së vjetruar kanë qëndruar të izoluar për vite e vite dhjetëra persona në konflikt me ligjin, derisa drejtësia ka shqiptuar për ta verdiktin e saj. Të paraburgosurit u transferuan në kohë rekord e pa bujë drejt burgut të Fushë-Krujës, Vaqarrit, apo paraburgimi 302 në Tiranë, menjëherë sapo u çel fondi për rikonstruksionin e paraburgimit “Jordan Misja” dhe gjithçka u bë gati që të nisej nga puna. Në fakt, godina e ndërtuar më shumë se tetë dekada me parë, jo si burg, por që u përshtat si e tillë, ishte tejet e amortizuar. Ndaj nevoja për ndërhyrje ishte emergjente, pasi pikërisht kjo godinë ishte bërë shkak që Drejtoria e Burgjeve të kritikohej ndër vitet. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bledar Skënderi shpjegoi për “GSH” se burgu 313 u mbyll për arsye rikonstruksioni, pasi sikurse thekson, kishte jo pak kritika për kushtet.

Z.Skënderi, përse është mbyllur paraburgimi 313?

Paraburgimi 313 u mbyll për arsye rikonstruksioni. Nga ana e Ministrisë së

Drejtësisë është çelur një fond për rikonstruksionin, në kuadër të përmirësimit të kushteve për të paraburgosurit.

Sa është ky fond?

Bëhet fjalë për një fond prej 600 milionë lekësh të vjetra. Janë para të taksapaguesve shqiptarë.

Përse u vendos tani të rikonstruktohej?

Sepse godina ishte shumë e vjetër dhe nevojitej ndërhyrja. Gjithashtu,

ka pasur mjaft raporte për kushtet e papërshtatshme në këtë paraburgim.

Sa kohë parashikohet të zgjasë rikonstruksioni?

Është parashikuar që të përfundojë brenda afatit 3- mujor.

Në ç’fazë ndodhen punimet?

Aktualisht janë duke u bërë ndarjet për banjat në qeli. Ka qenë problem i

madh, fakti që në këtë paraburgim banjat kanë qenë kolektive.

Pas kësaj ku do të vihet “dorë” në këtë paraburgim?

Natyrisht, do të instalohen rrjeti elektrik dhe hidraulik.

Ju inspektoni thuajse çdo ditë punimet, me ç’ritme po vijojnë?

Sikurse theksova, duhet të përmbyllet rikonstruksioni brenda një afati 3-mujor, për këtë arsye puna po vijon me ritme të shpejta. Grupet e punës paraqiten në orar dhe pasi kalojnë sistemin e kontrollit, vijojnë punën

normalisht. Ne besojmë se do të respektohet afati, me qëllim që të rikthehen sërish të paraburgosurit.

Tani që burgu është i kyçur, ku janë dërguar të paraburgosurit?

Janë shpërndarë në tri burgje, në burgun 302, në Vaqar dhe në Fushë-Krujë.

Nga këto burgje janë transferuar drejt burgut të Fierit, personat e dënuar me vendim gjykate.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb