Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, me anë të një njoftimi bën me dije se pala greke e ka informuar se do ta mbyllë pikën kufitare në Kapshticë nga sot, datë 20.11.2020 prej orës 06.00 deri më datë 04.12.2020.

Sipas policisë, shkak për këtë mbyllje nga pala greke është bërë shtimi i rasteve me koronavirus në veri të Greqisë.

Policia bën thirrje ndaj qytetarëve që të shmangin kalimin nga kjo pikë kufitare drejt shtetit grek.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.

Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë:

Autoritetet e Policisë Greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kapshticë, sqarojnë se në zbatim të vendimit të qeverisë greke për marrjen e masave, mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, prej datës 20.11.2020, ora 06:00 e mëngjesit, deri në datën 04.12.2020, Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të jetë e bllokuar dhe nuk do të lejohet lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve (vetura, autobusa dhe kamiona) si në hyrje dhe në dalje të Greqisë.

Policia Kufitare e Kapshticës, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.

Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë, do të ketë forca policie të cilat do të mbikqyrin situatën dhe nuk do të lejojnë kalimin e mjeteve, në drejtim të Kapshticës.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb