SHKODËR- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së Programit Ndërkufitar Shqipëri- Mali i Zi (2007-2013). Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga pala malazeze dhe Delegacioni i Bashkimit Europian.

Programi ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi 2007-2013 përbën një nga programet më të rëndësishme ku Shqipëria ka marrë pjesë. Përpjekjet e bëra nga të dy vendet pjesëmarrëse në zbatimin e këtij programi, kanë si objektiv kryesor promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin, në interes të përbashkët të të dy vendeve.

“Të dy vendet tona kanë një aspiratë të përbashkët për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian dhe objektivi ynë i përbashkët i anëtarësimit në BE sjell me vete nevojën për të nxitur bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencës, të koordinojmë politikat e përbashkëta dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të zbatuar prioritetet dhe projektet tona të përbashkëta strategjike. Ne mbështesim plotësisht filozofinë e programeve territoriale të bashkëpunimit, të cilat kanë për qëllim t’i sjellin njerëzit dhe kulturat e ndryshme më afër, në lidhje me diversitetin e tyre”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja foli dhe për Programin e Ri Ndërkufitar IPA/ Mali i Zi-Shqipëri 2014-2020. “Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është të nxisë një zhvillim më të ekuilibruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm social-ekonomik të zonës kufitare dhe parashikohet që ky program do të kontribuojë në nxitjen e punësimit, punës, përfshirjes sociale dhe kulturore në të gjithë zonën e përbashkët kufitare”, tha ministrja Gjosha.

E pyetur nga gazetarët Ministrja e Integrimit Europian, u shpreh se faza e radhës në procesin e integrimit, do të jetë hapja e negociatave, por çelësi i saj mbetet reforma në drejtësi. Ministrja ftoi gjithë klasën politike shqiptare të jetë e bashkuar dhe të votojë me konsensus këtë reformë në parlament.

“Palët politike kanë bërë një betim përpara qytetarëve shqiptarë,janë votuar prej tyre dhe duhet të mbajnë premtimin për sa i përket procesit të integrimit, pasi interesi i qytetarëve është mbi çdo interes politik. Konsesusi është i domosdoshëm”, tha ministrja Gjosha.

Në lidhje me bashkëpunimin me Ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për përmbushjen e 5 prioriteteve, ministrja Gjosha u shpreh se nuk do të ketë më tolerancë as me afatet dhe as me cilësinë e informacionit, pasi të gjitha këto janë të përcaktuara në Planin Kombëtar të Integrimit, i cili është miratuar nga qeveria shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: