NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Afro 40 mijë turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në 25 Qendrat Shëndetësore të hapura në të gjithë vendin përgjatë sezonit turistik. Që prej datës 15 qershor dhe deri në datën 15 shtator, 25 Qendra Shëndetësore në bregdet dhe në zonat malore kanë qenë në mbështetje të sezonit turistik, duke funksionuar 24 orë në 7 ditë të javës. Vitin e kaluar ishin 22 Qendra Shëndetësore, në të cilat morën ndihmë mjekësore rreth 25 mijë pushues, ndërsa këtë vit ishin në mbështetje të sezonit turistik ishin 25 Qendra Shëndetësore. Doktoresha Silva Gjika, Qendra Shëndetësore Shëngjin, thotë se në këtë qendër gjatë sezonit turistik janë regjistruar një numër prej 2700 pacientësh, rreth një mijë më shumë se një vit më parë. Ndër të tjera, ajo shprehet se fluksi më i lartë i pacientëve që kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Shëngjinit kanë qenë pushues nga Kosova, por edhe me nacionalitete të tjera si gjermanë, malazezë e serbë. Sa u përket rasteve dhe sëmundshmëritë më të shpeshta që janë trajtuar pranë kësaj qendre kanë të bëjnë me gastrointeritet, intoksikacionet alimentare, pickimet nga insektet, reaksionet alergjike apo edhe problemet kardiake. Në ndryshim nga vitit i kaluar, sqaron Dr.Silva Gjika, këtë vit ka ndryshuar përbërja e stafit mjekësor. Vitin e kaluar kanë qenë dy mjekë dhe dy infermierë në stafin mjekësor, ndërsa këtë vit janë shtuar, tre mjekë dhe tre infermierë.

Doktoreshë, sezoni turistik u mbyll, tani kemi një panoramë të qartë se çfarë ka ndodhur me pushuesit pacientë, të cilët kanë marrë ndihmë shëndetësore pranë 25 qendrave të hapura në të gjithë vendi? Sa pacientë kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë këtyre tre muajve në qendrën tuaj shëndetësore.
Siç e thatë, është fundi i sezonit turistik, kemi pasur një fluks të konsiderueshëm pacientësh në Qendrën Shëndetësore të Shëngjinit. Kemi regjistruar një numër rreth 2700 pacientësh. Janë rreth 1 mijë pacientë më shumë se vitin e kaluar, që janë trajtuar në Qendrën Shëndetësore në këtë zonë.

Cilat janë rastet dhe sëmundshmëritë më të shpeshta që keni hasur gjatë punës suaj?
Rastet më të shpeshta kanë të bëjnë me gastrointeritet që janë trajtuar pranë nesh, intoksikacionet alimentare, pickimet nga insektet, reaksionet alergjike, problemet kardiake, probleme renale. Klinikat janë të ndryshme që manifestojnë, megjithatë ato që mbizotërojnë, që kryesisht lidhen me ndryshimin e ambientit, të klimës janë kryesisht ganstrointeritet.

A keni mundur t’i mbuloni të gjitha këto raste me mjekime dhe barna? Si ka qenë furnizimi me materiale mjekësore dhe barna përgjatë këtij viti?
Në përgjithësi nuk kemi pasur probleme, kemi arritur t’i menaxhojmë të gjitha me furnizimet që kemi. Nuk ka pasur probleme.

Në qendrën tuaj shëndetësore janë regjistruar pacientë që janë shtetas të huaj? Nga cilat vende kanë qenë kryesisht?
Fluksi ka qenë me pacientë pushues nga Kosova, nga lokalitetet përreth. Por, kishim edhe raste me nacionalitete si gjermanë, malazezë, serbë, shumë raste.

Si është vepruar me rastet e rënda, të cilët kanë kërkuar ndihmë më të specializuar?
Kuptohet që ndihmën e parë ne e japim pranë qendrës sonë shëndetësore. Aty ofrohet ndihma e parë, pastaj kemi bashkëpunim shumë të mirë me Spitalin Rajonal të Lezhës, ku trajtojmë rastet më të rënda pasi i dërgojmë atje.

A kanë qenë të shpeshta këto raste?
Ka pasur disi, mesatarisht mund të kenë qenë pesë raste në javë, që janë transportuar në Spitalin Rajonal.

Ky është viti i dytë radhazi që Qendrat Shëndetësore pranë zonave turistike kanë dhënë ndihmë shëndetësore për pushuesit, por duam të dimë se çfarë ka ndryshuar këtë vit dhe a keni sugjerime të tjera për vitin e ardhshëm?
Ajo që ka ndryshuar nga viti i kaluar është përbërja e stafit mjekësor. Vitin e kaluar kanë qenë dy mjekë dhe dy infermierë në stafin mjekësor, këtë vit jemi shtuar, jemi tre mjekë dhe tre infermierë në dispozicion. Kemi në dispozicion ditë për ditë infermierët e Urgjencës së Lezhës. Kemi në dispozicion autoambulancat, që na i siguron Spitali Rajonal i Lezhës. Mund të themi se ajo që mund të përmirësohet, apo mund të rishikohet vitin e ardhshëm ka të bëjë më shumë me është furnizimi me mjekime. Klinika është e tillë që ato duhen për patologjitë më të shpeshta që kemi.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: