VLORE 

Një peshkarexhë është mbytur  në qytetin bregdetar të Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Sazanit në orët e para të mëngjesit

Si pasojë e një avarie, mjeti është mbytur.  Nga mbytja e peshkarexhës u rrezikuan 4 peshkatarë. Ata kanë qëndruar që prej orës 23:00 në bukëpeshk, bën me dije gazetari Enrik Mehmeti për BalkanWeb

Për fatin e tyre të mirë mundën të shpëtojnë nga trageti i linjës Vlorë-Brindisi. Trageti ka zbritur një varkë shpëtimi dhe më pas i kanë dhënë ndihmën e parë.

Policia po heton nëse ka pasur dijeni më parë në lidhje me ndonjë mosfunksionim të plotë.

Njoftimi i policisë

Shpëtohen 4 shtetas të cilët rrezikuan të mbyteshin në det me një anije peshkimi.

Më datë 04.11.2018, në orën 02:08, jemi njoftuar për ndihmë se mjeti lundrues peshkimi “Vasili LN” po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.

Menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojes Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.

Por sot në mëngjes rreth orës 06:04, njofton Kapiteneria e Portit Vlorë se trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).

Këta shtetas janë personat e ekuipazhit të anijes së peshkimit “Vasili LN”, për të cilët bëjmë me dije se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb