TIRANË

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Namik Velajn, i cili mbyti bashkëshorten e tij dy vite më parë. Ai dyshohet se mbyti gruan me litar dhe fshehu krimin  në mbrëmjen e 3 janarit të viti 2017.

Gjithashtu organi i akuzës ka kërkuar 3 vite burg për mjekun Ilir Tanku, i cili  e kishte raportuar vdekjen e gruas, Verke Velaj si natyrale.

ALIBIA QE NGRITI PER FSHEHJEN E KRIMIT
Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi se pasi gruaja ndërroi jetë, për të krijuar alibi, Velaj thirri edhe mjekun e urgjencës, i cili nuk arriti të konstatojë shenja dhune, por doli në përfundimin se gruaja kishte vdekur nga hiper-tensioni. Në këto kushte plaku me gjakftohtësi e veshi gruan me rrobat e saj më të mira dhe i mbuloi qafen me një shall, që ajo e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më.

Namik Velaj iu kërkoi edhe të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulojë shenjat e krimit të tij. Por kunatat e së ndjerës pikasën poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari me të cilin gruaja u mbyt. Pas kësaj të afërmit e gruas denoncuan në polici dhe menjëherë nisën hetimet, të cilat konkluduan se 74-vjecarja ishte vrarë nga bashkëshorti. Kujtojmë se në këtë ngjarje u përfshi edhe mjeku Ilir Tanku, për të cilin ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre”, pasi në kundërshtim me ligjin ai si mjek urgjence plotësoi kartelën e vdekjes. Për të është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: