FIER – Një vit pas vdekjes së një 74-vjeçareje në Patos, policia e Fierit në bashkëpunim me Pro-kurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kanë zbuluar krimin makabër në familjen Velaj. Pas hetimeve të kryera, ka rezultuar se e moshuara Vreke Velaj nuk vdiq për shkaqe natyrale, siç u tha në janar të vitit që shkoi, por është vrarë nga bashkëshorti i saj.

Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Namik Velaj, i cili ka përfunduar në pranga dhe akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ndër-kaq, policia ka proceduar penalisht edhe mjekun e qendrës shëndetësore të Patosit, Ilir Tanku, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Dyshohet se ky i fundit është përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ndaj i është hequr dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. Mësohet se dyshimet e vëllezërve të viktimës çuan në zbardhjen e krimit brenda familjes.

ZBARDHJA E VRASJES
Pas një viti hetimesh intensive dhe përgjimeve të familjarëve të viktimës, rezultoi se Vreke Velaj ishte mbytur nga bashkëshorti, Namiku. Nga hetimet e udhëhequra nga prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi, rezultoi se 75-vjeçari pasi e kishte mbytur me litar të shoqen në banesën e tyre, e kishte veshur me rrobat e saj më të mira dhe qafën ia kishte mbuluar me një shall, të cilën e ndjera e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më. Namik Velaj iu kishte kërkuar të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulonte shenjat e krimit të tij. Pavarësisht se Velaj kishte thënë se gruaja e tij kishte ndërruar jetë nga hipertensioni e problemet në zemër, “vërtetuar” kjo edhe nga mjeku i qendrës shëndetësore Ilir Tanku, kjo gjë nuk i ka bindur vëllezërit e së ndjerës. Për më tepër që kunatat e 74-vjeçares kishin pikasur poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari, me të cilin ajo ishte mbytur. Pak ditë pas ngjarjes, vëllezërit e gruas bënë denoncim në polici duke kërkuar zbardhjen e ngjarje. Menjëherë kanë nisur hetimet, të cilat konkluduan se e moshuara ishte vrarë nga bashkëshorti. Ndërkaq, vëllai i viktimës Qemal Muskaj dje rrëfeu për “Gazeta Shqiptare” se që në momentin kur morën vesh për vdekjen e së motrës kanë pasur dyshime, pasi çifti i të moshuarve kishte pasur kontradikta të vazhdueshme. Ai tha se kunati nuk pranonte që të shihnin motrën e pajetë dhe as t’i hiqnin nga qafa një shall që i kishin vendosur, në mënyrë që të mos dukej shenja e litarit.
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2018/02/28/mbyti-gruan-me-litar-vellai-i-74-vjecares-djemte-e-dinin-si-e-zbuluam-vrasjen-dy-dite-para-krimit-ai/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb