TIRANE- Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje izolimin në qelitë e paraburgimit për Shkëlqim Dishën, 37 vjeçarin e akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Resmie Disha, 31 vjeçe, duke e mbytur me rripin e pantallonave. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë në zonën e Shëngjergjit në Tiranë.

Togat e zeza të Krimeve të Rënda pranuan kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat për Dishën, i dyshuar për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, shkruan Panorama. Para gjykatës 37-­vjeçari është shfaqur i penduar, duke pohuar se ishte konfliktuar me gruan për shkaqe xhelozie.

“Pasi e kam qëlluar disa herë me dru, nuk di se ç’kam bërë më mbrapa”, mësohet të jetë shprehur i arrestuari Disha. Sipas prokurorit, Disha është ndaluar në vendin e krimit, ku pa pritur mbërritjen e policisë dhe ai e ka pranuar kryerjen e veprës penale. Ai ka pretenduar se bashkëshortja kishte pasur një lidhje tjetër para disa vitesh, kur ai ishte emigrant në Greqi. Gjykata nuk mori parasysh pretendimin e avokatit të Dishës, Arben Peci, për caktimin e një mase sigurie më të butë për klientin.
Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet Disha ka ndodhur rreth orës 15:30 të së martës. Nga hetimi ka rezultuar se rreth kësaj ore shtetasi Shkëlqim Disha së bashku me bashkëshorten e tij Resmie Disha (Murtini) janë nisur për të shkuar më këmbë nga fshati Vrrin për në fshatin Gurakuq të rrethit Librazhd, ku banojnë disa të afërm të Shkëlqimit. Gjatë rrugës, e cila përshkruhet në këmbë dhe pikërisht në vendin e quajtur Shpellës (Maje Lungj) të fshatit Urëz, çifti ka ndaluar për të pushuar.

Sipas Prokurorisë, në këtë moment mes tyre ka lindur një konflikt për shkaqe xhelozie. “Në konflikt e sipër shtetasi Shkëlqim Disha fillimisht ka qëlluar me dru pas koke bashkëshorten e tij dhe më pas e ka shtrënguar me rrip pantallonash në qafë duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, shtetasi Shkëlqim Disha ka njoftuar me telefon disa të afërm të tij, vëllain dhe më pas ka njoftuar edhe sallën operative.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: