LUSHNJË- Gjykata e Lushnjes ka dhënë sot masën e sigurisë burg pa afat, për të moshuarën Hatixhe Ahmetaj, e cila 3 ditë më parë mbyti me litar të birin si dhe e mbajti për 12 orë në shtëpi, para se të lajmëronte policinë. Mësohet se çështja i ka kaluar ndërkaq Gjykatës së Krimeve të Rënda.

71-vjeçarja ka pranuar krimin, ndërsa është shprehur se nuk i duronte dot më vuajtjet që po shkaktonte i biri.

E moshuara tha në gjyq se ishte kthyer atë ditë nga Italia, ku jetonte me të bijat, pasi djali e kishte
thirrur me pretendimin se kishte djegur duart me gëlqere dhe se nuk ishte i aftë t’i shërbente vetes.

“Atë ditë më kërkonte lekë herë pas here…në darkë pastaj më kërcënoi t’më vriste me thikë. Në përleshje e sipër ai përplasi kokën dhe munda ta mbys me një copë të vjetër”, të cilën, e moshura më pas rrëfeu se, e hodhi në kazanin e mbeturinave të lagjes, për të humbur gjurmët.

Në seancë gjyqësore ishin të pranishme edhe të bijat e të moshuares, të cilat kishin mbërritur nga Italia.

NGJARJA
Kjo ngjarje e rëndë, e denjë për filma horror ka ndodhur brenda në qytetin e Lushnjës, në lagjen “Gafurr Muçaj”.

Hatixhe Ahmetaj, 71 vjeç e lodhur nga problemet e shumta që i sillte i biri problematik dhe përdorues droge, e ka mbytur atë me litar në banesën ku jetonin të dy, në orët e vona të së dielës. “Djali ishte i dehur. E kam lidhur me litarë dhe e kam shtrënguar deri sa e mbyta. Jetonim të dy vetëm, vetëm vuajtje kam pasur nga ai”, ka rrëfyer e moshuara në polici.

Burime të policisë së Lushnjës, bëjnë me dije se 71-vjeçarja është përdhunuar nga i biri vite më parë, por nuk ka bërë denoncim në polici.

Hatixhe Ahmetaj jetonte vetëm me djalin e saj Pëllumb Ahmetaj që sipas banorëve dhe fqinjëve ishte përdorues droge. Nga hetimet e policisë dhe këqyrja e trupit të 38-vjeçarit, janë vërejtur shenja në qafë çka ka shtyrë policinë të konkludojë se ai është mbytur me litar. E më pas vetë nëna 71-vjeçare ka pranuar krimin e rëndë para oficerëve të policisë gjyqësore.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: