KORCE- Gropa e thellë, e hapur nga një shoqëri private në fshatin Qatrom të Korçës i mori jetën dy kushërinjve 17-vjeçarë, të cilët u futën për tu larë në të ashtuquajturën ‘Gropa e Danielit’, por nuk mundën të dilnin të gjallë.

Rreth 1 javë pas ngjarjes tragjike, Policia e Korçës ka nisur procedimin penal 3 shtetas: V.K, 53 vjeç administrator i një shoqërie private, F. S, 57 vjeç, ish-kryetar i komunës Drenovë dhe M.M, 31 vjeç, administrator i njësisë Drenovë.

Ndaj shtetasve të sipërpërmendur ka nisur procedimi penal, pasi akuzohen se nuk kanë marrë masa për kontrollin e aktivitetit të ushtruar.

17-vjeçarët, Rei dhe Berti Tahirllari, kushërinj me njëri-tjetrin, u nxorën të mbytur nga “Gropa e Danielit”, në fshatin Qatron.

Tek ‘Gropa e Danielit’, e krijuar prej 5 vitesh në fshat nga një firmë ndërtimi, të rinjtë e fshatit Qatron hynin shpesh për të peshkuar dhe për t’u larë. Thellësia në këtë gropë shkon nga 3 deri në 8 metra.

NJOFTIMI I POLICISE SE KORCES:
Në vijim të hetimeve të kryera, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.08.2016, në fshatin Qatrom, në të cilën humbën jetën shtetasit A.T dhe R.T, duke u mbytur në vendin e quajtur Gropa e Danielit, ju sqarojmë se : Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin për veprën penale: “Shpërdorimi i tokës ndaj shtetasit: V.K, 53 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Administrator i një shoqërie private në fushën e qeramikës.

Nga verifikimet e kryera kjo shoqëri, ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, si edhe në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, pikërisht në gropën ku humbën jetën, dy kushërinjtë. Gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale Shpërdorimi i detyrës në ngarkim të shtetasve : F.S, 57 vjeç, banues në Korçë, me detyrë ish­-Kryetar i Komunës Drenovë dhe M.M,31 vjeç, banues në fshatin Qatrom, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Drenovë.

Shtetasit e lartpërmendur, duke qenë me detyrë ish­ Kryetar dhe Administrator, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar, në territorin e kësaj njësie. Materialet për veprime të mëtejshme hetimore, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb