“Sa kthehej ulëriste, shumica e sherreve ishte në prani të djalit, nuk komandohej më asgjë, ishim dy armiq brenda në një shtëpi” kështu e nis rrëfimin e saj për emisionin “Jeta pa filtër” në TV “News24” L.V.

30-vjeçarja nga Fieri thotë se jeta me një bashkëshort dhunues dhe një fëmijë autik ishte e pamundur. Në mes të shumë detajeve rrëqethëse ajo kujton momentin më të vështirë teksa i shoqi e ka dhunuar barbarisht:
“Më ka kapur prej fyti dhe më ka ngritur peshë. Nuk di sa ka zgjatur ashtu, jam përpjekur ta çjerrë të shpëtoj….djali po shihte gjithë skenën më pas më përplasi në dysheme, por askush nuk më erdhi në ndihmë. Mora nënën time në telefon e cila më kërkoi të merrja urgjentisht policinë, sipas saj ajo që më priste ishte vetëm vdekja”.

Pak kohë më parë në parlament ka kaluar një ligj i ri për dhunën në familje. Sipas tij policia ka të drejtë të veprojë e të nxjerrë jashtë dhunuesin pa pritur më parë një vendim gjykate.

Avokati i njohur Jordan Daci ka thënë se ky është një ligj që duhet mbështetur, por që të zbatohet ka nevojë për kujdes, profesionalizëm dhe staf inspektorësh e psikologësh.

Ai vë thekson gjithashtu se: “Jo çdo rast dhune duhet të legjitimojë dëbimin nga shtëpia. Nëse dhuna nuk ka baza dhe familja mund ta ketë gjetur ekuilibrin, ky ligj mund të sjellë shkatërrimin e familjes. Nëse ky ligj zbatohet për këdo, atëherë pasojat negative të tij do të jenë më të mëdha se ato pozitive”.

Pedagogia Iris Luarasi në intervistën e dhënë për emisionin thotë se gratë dhe vajzat që telefonojnë, për fat të keq kërkojnë ndihmë vetëm atëherë kur dhuna është bërë aq agresive sa është kthyer në një rrezik për jetën e tyre dhe të fëmijëve.

Madje ajo kujton rastin e mikeshës së saj e cila u vra nga i shoqi: “Unë me një shoqe tjetër po prapë gazetare e kemi takuar 3 ditë përpara se të kishte gjëmën në familjen e saj dhe e pamë që kishte nje hematomë në fytyrë, e pyetëm se çfarë kishte ndodhur dhe na tha se kishte rënë nga shkallët. E besuam, ishte e bëshmë në trup dhe s’të krijonte kurrë idenë se mund të ishte viktimë e dhunës në familje.

Pas 2 ditësh e kam parë në lajme që e kishte vrarë i shoqi…” Luarasi e shprehet se e mbështet fort ligjin e ri dhe beson se dëbimi i menjëhershëm i dhunuesit do të shpëtojë jetë.

Edhe skenaristi Koloreto Cukali ka theksuar faktin se duhet ndërhyrë sa më shpejt në rastet e dhunës në familje. “Nuk mund të tolerohen më dhunesit me miq e me shokë”- thotë ai. “Jeta pa filtër” është fokusuar tek fenomeni i dhunës në familje pikërisht ditën e 25 nëntorit, Dita Ndërkombëtare e Dhunës ndaj Grave e Vajzave. Ky program me autore, psikologen Ervisa Lula transmetohet çdo të mërkurë ora 10:20 në ekranin e TV “News24”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb