TIRANË- Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar gjatë fundjavës kontrollet e rrepta ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit, duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara apo të dehur në timon. Kështu një rast që është evidentuar nga rrugorët, është ai i një 42-vjeçari që lëvizte me 164 km në orë me mjetin e tij luksoz një “BMW”.

“Në autostradën Tiranë-Durrës me Radar për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdorueseve të rrugës. Me 164 km/h 42-vjeçari P.RR. duke drejtuar mjetin luksoz ‘BMW’. Shpejtësi gati dyfish mbi limitin e lejuar + lagështi në rruge=destinacion? Respektoni rregullat e shpejtësisë të arrini në destinacionin e duhur pa dëmtuar jetën tuaj dhe të përdorueseve të tjerë të rrugës”, shkruan policia rrugore.

Policia Rrugore e Tiranës po vijon kontrollet me Drager, pavarësisht reshjeve të furishme të herë pas hershme të shiut, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore.

“Të drejtosh mjetin nën ndikimin e alkoolit apo me keq akoma në gjendje të dehur në rrugët plot ujë e kur ka reshje të dendura shiu çka vështirësojnë qarkullimin, kjo është akoma më e rrezikshme.
Aventurë ose papërgjegjshmëri e këtyre drejtuesve të automjeteve që luajnë me jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. 6 drejtues mjetesh në pranga për drejtim mjeti në gjendje të dehur, konsum alkooli në masë që varionte nga 0.68 mg/l deri në 1.02 mg/l. 9 të tjerëve iu tërhoq Leja e Drejtimit për në OASH për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, konsum alkooli në masë që varionte nga 0.22 mg/l deri ne 0.37 mg/l. Drejtues mjetesh, fundjavën nuk duam tua cenojmë dhe tua errësojmë, por duam të kontribuojmë në sigurinë e jetës tuaj në rrugë dhe të përdorueseve të tjerë të rrugës. Argëtohuni por përdorni mjetet e transportit publik në rast se doni të konsumoni alkool, pasi do t’ju kushtojë shumë herë më lirë dhe destinacioni do jetë i sigurt”, këshillon policia.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb