Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se në zgjedhjet e 25 prillit do të ketë surpriza.

Teksa foli për programin e opozitës, Gjosha theksoi se më 26 prill do të kemi një tablo ndryshe, për faktin se, sipas saj, ka shumë të rinj që i bashkohen LSI.

Mes të tjerash, ish-ministrja deklaroi se “Ne punojmë pafund me zonën gri, sepse fituesit e zgjedhjeve këtë radhë do të jenë ata që do të bëjnë të besojnë qytetarët shqiptarë që nuk kanë votuar kurrë”.

“Opozita e ka programin e saj, edhe ekonomik, edhe të të gjitha fushave, sepse nuk mund të vihet pa një program. Kjo që po ndodh sot mes opozitës është se opozita diskuton programin paraprakisht, sepse ne do duhet të biem dakord për shumë pika të qeverisjes së ardhshme. Nëse qytetarët ndjehen të zhgënjyer, i kanë të gjitha hapësirat për të ardhur te LSI. Ne dimë të dëgjojmë, sepse në politikën shqiptare ka humbur sensi i dëgjimit. LSI është parti e grave dhe vajzave, nuk mund të dalë dikush të thotë të kundërtën. A ka alternativë më të mirë sot, se të ofrosh ndryshimin e mentalitetit në qeverisje, se sa të ofrosh një brez të ri në qeverisje? Qytetarët janë të lodhur”, tha Gjosha.

A mendoni se LSI, përballë presionit të madh mes dy partive të mëdha, do të ruajë përmasat?

Gjosha: Ne kemi qenë edhe më parë në këtë presion, nuk na tremb dhe as na sfidon kjo pjesë. Historia ka treguar se edhe pse ndryshimet taktike, të bëra në momentet e fundit, vetëm për të zhdukur LSI, nuk kanë funksionuar, përkundrazi e kanë bërë atë më të fortë. LSI beson në alternativën e saj, vlerat dhe forcën që ne kemi. Këto do të jenë zgjedhjet, ku më 26 prill do të kemi një tablo ndryshe. Do të kemi surpriza, për faktin se sa shumë të rinj bashkohen me LSI. Është sfidë e madhe t’i bindësh qytetarët se vota sot është detyrë qytetare. Ne nuk jemi mësuar t’i vëmë përballë politikanët tanë dhe t’iu kërkojmë llogari. Llogaria kërkohet me votë. Qytetari ka një zë dhe e ka shumë të fortë. Dhe besoj se këtë radhë, ajo që duhet të arrijmë ne, është një lëvizje qytetare e rëndësishme. Ne punojmë pafund me zonën gri, sepse fituesit e zgjedhjeve këtë radhë do të jenë ata që do të bëjnë të besojnë qytetarët shqiptarë që nuk kanë votuar kurrë. Votat që janë të LSI, janë aty. Është një strukturë shumë solide.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb