TIRANË

Kandidati për deputet i PD Flamur Noka deklaron se historia e trysnimit të qytetarëve nga krimi dhe mafia merr fund më 25 prill. Noka tha në “Frontline” në News24 se qytetarët do mund të jetojnë të lirë dhe dinjitozë. Ai komentoi dhe aksionet e fundit të policisë në Elbasan, për të cilat tha se janë për të qeshur.

Sipas Nokës, opozitës së sotme dhe qeverisë së nesërme i bie barra e reformimit rrënjësor të policisë së Shtetit, që sicc thotë ai është më e inkriminuara që nga krijimi i shtetit shqiptar.

“Rama po përdor miqtë e tij të krimit të organizuar për të presionuar opozitën. Ka një ndryshim shumë të madh. Nuk kemi parë kurrë dhe as kanë parë dhe as kanë për të parë PD me krimin e organizuar bashkë apo me mafien për të trysnuar qytetarët. Kjo është histori që më 25 prill do përfundojë. Qytetarët do mund të jetojnë të lirë dhe dinjitozë”, deklaroi Noka.

Sipas tij, lufta kundër krimit apo kundër mafies është vullnet politik dhe vullneti politik është deviza përfundimtare.
“Aksioni i policisë është për të qeshur jo për t’u përshëndetur. Nuk ka pasur kurrë një polici më të inkriminuar se kjo që kur është themeluar shteti shqiptar, më të korruptuar dhe më të politizuar se kjo. Sot për fat të keq kjo polici është më e shkatërruar se kurrë. Ajo që i bie barrë opozitës së sotme dhe qeverisjes së nesër reformimi rrënjësor i policisë së shtetit. Është kupolë tërësisht e inkriminuar dhe e politizuar në ekstreme.

Zoti Çuçi është një kukull. Mund të marrë 5.5, 50.5 mund të marrë 505 ml neuro. Shikoni sondazhet, testimet, opinion publik është perceptimi i qytetarëve. OFL është i gjithi një falsitet dhe një mashtrim përballë shqiptarëve. Është një dështim spektakolar. U përdor për t’i vendosur bandat në shërbim të Ramës.
Kush luan me votën, luan me kokën. Shenjtëria e votës është e patjetërsueshme. Vota është e shenjtë. Askush nuk duhet ta mendojë të tjetërsojë votën e shqiptarëve. Do të thotë që ka një zgjidhje, ligji dhe vetëm ligji do të jetë ai që do të prevalojë mbi gjithçka. Loja me votën është lojë me kokën. Kjo ka qenë ëndrra e çdo shqiptari në vitin 1990 që është ngritur për të rrëzuar pushtetin, për të institucionalizuar demokracinë dhe institucionalizimi i demokracisë është vota e lirë. Vota do mbrohet në çdo rrethanë, me çdo kusht dhe çdo mjet”, deklaroi Noka.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: