Nga: ERJOLA JATA*
TIRANE – Pas miratimit të ndryshimeve ligjore të Kodit Penal të miratuar vetëm pak javë më parë nga parlamenti, këtë të mërkurë në fletoren zyrtare janë publikuara ndryshimet të cilat do të hyjnë në fuqi në fund të muajit Janar.

Kështu duke nisur nga 29 Janarit të gjitha ato biznese që nuk lëshojnë kuponin tatimorë kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ndërsa ligji është më I ashpër për të gjitha subjektet që janë të paregjistruara dhe që nuk përdorin kasën fiskale. Heqja e lirisë për këto shkelje për bizneset shkon deri në 3 vjet. Ndryshimet e reja parashikojnë gjithashtu dënime edhe për administratën tatimore. Të gjithë këto punonjës të cilët nuk arrijnë të vjelin taksat do të dënohet deri në 7 vjet burg. Masat të ashpra do të aplikohen edhe për kontrabandën në pikat doganore kryesisht për kalimin e mallrave të pakontrolluara. Kodi Penal në këtë rast parashikon 10 vjet heqje lirie.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shoqatës së mbrojtjes së tregtareve dhe tregut të Shqipërisë, kryetari i saj Nikollaq Neranxi thotë se në fund të muajit Janar kjo shoqatë do ti drejtohet gjykatës kushtetuese në lidhje me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal.

“Duhet çuar në kushtetuese sepse është në kundërshtim me çdo nivel dhe moment të ekonomisë shqiptare. Neve duket në pamje të parë sikur jemi kundër ligjeve absolutisht jo ne jemi me ligjet dhe duhet ti zbatojmë ato,po këto ligje që po bëjnë janë ligje të cilat nuk duan të ruajnë nivelin e formalizimit të ekonomisë këta duan të kalojnë ekonominë nga informale në formale. Këto ligje që bëhen tani do të sjellin një çoroditje të tregut,një amulli në treg dhe një ulje të nivelit ekonomik të vendit.”- deklaroi Neranxi.

Bizneset kërkojnë gjithashtu nga qeveria të vijojë me reforma për të formalizuar ekonominë pasi vetëm në këtë mënyrë mund të zbatohen ligjet. Ndryshimi ne Kodin Penal është ligji i dytë i cili do të shkoj në gjykatën kushtetuese nga biznesi pas atij për procedurat tatimore i cili pritet të rigjykohet në datën 26 Janar.
(m.k/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: