Mali i Zi ka zhvilluar këtë të hënë seancën e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiç.

Prej disa orësh seanca u shoqërua me debate të ashpra dhe pasua të shkurtra, ndërsa në fund u vendos për shkarkimin e Beçiç. Gjithsej votuan 79 deputetë, nga të cilët 43 votuan pro dhe 36 kundër.

Deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, funksionin e tij do ta ushtrojë nënkryetari i Kuvendit, Strahinja Bullajiç, nga Fronti Demokratik.

Kujtojmë se qeveria e Krivokapiç, u rrëzua më 4 shkurt, me votat e opozitës dhe të Lëvizjes Qytetare URA.

Që fillimet e formimit të qeverisë, në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiç është përshkuar me debate midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.

Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë u iniciua nga URA.

Nga ana e tij Dritan Abazoviç ka thënë se pas rënies së qeverisë së Krivokapiç do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv.

Ai gjithashtu është shprehur se ka disa opsione për zgjidhjen e situatës, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb