Policia e Fierit  ka finalizuar operacionin “Tabacino”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Gjatë aksionit, është arrestuar 26-vjeçari Arsen Mete, i cili posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë, si dhe janë sekuestruar 88 doza lënde narkotike gati për shitje.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për një shtetas që në dyqanin e tij tabakino, posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike të forta në doza, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Tabacino”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “11 Janari”, Fier, në dyqanin tabakino në pronësi të shtetasit A. M., si edhe më pas gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën në total dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 88 doza me lëndë narkotike kokainë, 40 grirëse bimore si ato që përdoren për përgatitjen e lëndës narkotike kanabis sativa, qeska dhe sende të tjera që përdoreshin për përgatitjen dhe shitjen e lëndës narkotike të llojit Kokainë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb