Rekurs në Gjykatën e Lartë nga avokati mbrojtës i Rrok Pepajt, babai i autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Razëm, në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, të Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj. Avokati i të akuzuarit për kultivim narkotikësh, Ardjan Brunga ka bërë rekurs pavarësisht se Gjykata e Lartë nuk është funksionale kundër vendimit të Gjykatës së Shkodrës për të lënë në burg babain e autorit të dyshuar, si bashkëpunëtor në krim.

Rrok Pepaj kërkon lirinë pasi nuk paraqet asnjë rrezikshmëri shoqërore dhe për më tepër përmend dhe hakmarrjen e mundshme. Ai sjell në rekursin e tij edhe disa detaje të tjera nga ngjarja dhe kërkimet për trupat e pajetë.

“Më datën 03.10.2020 ka ndodhur një ngjarje e rëndë si për familjen time ashtu dhe për kushërinjtë e mi. Bazuar në veprimet e Drejtorisë së Policisë Shkodër kam qenë i gatshëm për të dhënë sadopak ndihmesën time për gjetjen e dy kufomave të cilat sipas policisë dyshoheshin se kishte vrarë djali im Danjel Pepaj dhe ishin në territorin e fshatit Vrithë Njësia Administrative Shkrel Bashkia Malësi e Madhe.
Këtë fakt e tregon dhe procesverbali i arrestit në flagrancë, ku më datën 08.10.2020, në ora 08:15 unë së bashku me forcat e policisë kam dalë për të ndihmuar në gjetjen e kufomave.
Gjatë kontrollit të territorit nga forcat e policisë 500 larg vendit ku isha unë me disa policë ishte gjetur një parcelë që dyshohej se ishte e mbjellë me lëndë narkotike, më kanë afruar të parcela duke më thënë në mënyrë të pakuptimtë se kjo parcelë e mbjellë është e jotja, në ato momente bënë dhe arrestimin tim, duke me akuzuar për kultivim të bimëve narkotike.
Siç kemi kërkuar dhe në gjykatën e shkallës së parë, nuk ka asnjë provë ligjore se këto bimë narkotike, të gjetura nga policia gjatë kontrollit të territorit për të gjetur viktimat të jem unë autor i mbjelljes apo të pasjes dijeni për to. Vendi ku janë gjetur bimët narkotike nuk është toke e imja, që sipas ligjit të mbaj përgjegjësi.
Policia dhe Prokuroria në mënyrë abuzive dhe të kundraligjshme ka bërë arrestimin tim në flagrancë, pasi bazuar në nenet 251 dhe 252 të Kodit të Procedurës Penale nuk ka asnjë kusht flagrance”, deklaron Pepaj.

Referuar hetimeve për veprën penale për të cilën akuzohet i dyshuari Rrok Pepaj avokati ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masë sigurimit “Arrest shtëpie”. Pasi sipas tij, do ishte e drejtë si për organin e akuzës dhe të dyshuarin, pasi referuar dhe ngjarjes së ndodhur, qëndrimi në shtëpi është veprim që nuk i rrezikon dhe jetën nga ndonjë hakmarrje e mundshme.

“Gjithashtu i dyshuari jeton vetëm me gruan e tij, pasi djali madh Sandri jeton në Itali me familjen, ndërsa Danjeli është larguar nga shtëpia dhe nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e tij. Prokurori nuk argumentoi se personi nën hetim paraqet rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.
Përfundimisht kërkoj nga Gjykata e Lartë Tiranë miratimin e vendimit Nr. 224 date 05.11.2020 Gjykatës së Apelit Shkodër duke ndryshuar caktimin e masës sigurimit personal ndaj të dyshuarit Rrok Pepaj duke mos caktuar asnjë masë sigurimi personal ndaj këtij shtetasi”, argumenton avokati Ardjan Brunga.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb