Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se opozita ia doli të grisë perden e propagandës së shtrenjtë qeveritare dhe t’i tregojë botës mbarë nevojën akute për ndryshim me aksionin e nisur prej 16 shkurtit të vitit të kaluar.

I pyetur nga gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Osman Stafa, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në selinë blu, se çfarë fitoi opozita nga ky aksion, Basha tha se në fakt aksioni ishte fitore për shqiptarët.

“Mendoj se pyetja duhet shtruar se çfarë fitojnë shqiptarët. Shqiptarët fitojnë domosdoshmërinë e rishikimit të kushteve, të rregullave të lojës, që do iu mundësojë të votojnë të pandikuar nga krimi. Gjithashtu, të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë. Pra, pa aksionin tonë të 16 shkurtit, sot do të gjendeshim në një situatë, ku propaganda dhe milionat e krimit dhe oligarkisë do të pikturonin një Shqipëri pa probleme, pavarësisht se vendi është në krizën më të thellë ekonomikisht dhe nga ana e shpopullimit. Thënë me një fjali besoj se ja dolëm ta grisim perden e propagandës së shtrenjtë qeveritare dhe t’i tregonim botës mbarë nevojën akute për ndryshim”, deklaroi Basha.

A është marrëveshja e djeshme një konsensus mes jush dhe mazhorancës për zgjedhje?
Jo, se po të ishte do ta kishim raportuar si të tillë. Është objektiv i shpallur nga opozita e bashkuar, për të cilin do të mobilizojmë çdo forcë, qytetarët. Këtu janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme, axhenda e Ramës të qëndrojë sa më shumë në pushtet dhe axhenda e opozitës dhe qytetarëve për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme sa më shpejt.

Prej sa kohësh punohej për takimin e djeshëm?
Prej fillimit të dhjetorit faktori ndërkombëtar ka ushtruar presion ndaj mazhorancës për të pranuar tre kushtet e opozitës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb