Milan-Atletico Madrid është një nga sfidat e Champions League të kësaj jave. Kuqezinjtë kanë bërë në Serie A, me 5 fitore dhe një barazim, por në Champions kanë humbur ndeshjen e parë në Liverpool. Trajneri Pioli, në konferencën për shtyp, shpjegoi recetën për të fituar:

“Niveli është shumë i lartë dhe ne e pamë atë kundër Liverpool-it. Sigurisht, paguam për gabimet tona dhe ata na ndëshkuan. Duhet të luajmë thjeshtë, shpejt, të mos bëjmë gabime, sepse kundërshtarët në këtë nivel mund të të godasin në çdo moment.

Niveli ynë duhet të ngrihet nga çdo pikëpamje, por përvoja e Liverpool-it do të na bëjë më të vëmendshëm dhe më të fortë. Deri të shtunën, Atletico Madridi ishte i pamposhtur, ende mban pozitat e larta në La Liga.

Spanjollët kanë ekip shumë të fortë, janë shumë solidë, me një trajner të sprovuar dhe lojtarë të nivelit të lartë, gati për të shfrytëzuar çdo gabim tonin të vogël. Nevojitet nivel shumë i lartë dhe vëmendje maksimale për të gjitha minutat e lojës.

Ne po krijojmë përvojat tona dhe e përdorim çdo situatë për të bërë diçka më shumë, më mirë. Jemi një ekip i ri dhe kjo na jep shumë përparësi. Kur nuk ia del me përvojë, atëherë nevojiten idetë dhe entuziazmi. Besoj tek entuziazmi që do të na japin nesër tifozët tanë.

Giroud? Minutat ndaj Spezia ishin të nevojshme dhe të drejta për ta përmirësuar gjendjen, do të rritet në ndeshjet e ardhshme. Kthehemi të luajmë para tifozëve tanë, në kompeticionin që donim me gjithë forcën tonë.

Kundër Atletico Madridit do të jetë një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare për raundin tjetër, sepse do të mbeten edhe katër të tjera. Sidoqoftë, duam ta prishim kolonën zero nga renditja jonë.

Marrëdhënia ime me Milanin? Në mendjen time, marrëdhënia me klubin, me lojtarët, me mjedisin kuqezi nuk ka skadim. Ne kemi të njëjtën gjë; motivimet, ambiciet për të përfituar sa më shumë nga çdo ndeshje, çdo sezon. Por tani le të mendojmë për ndeshjen e nesërme”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb