Ndonëse e re, ajo sheh shpesh shikime paragjykuese. I tillë është dhe fati i Eldës, e cila duhet të vuajë dhe opinionin e të tjerëve vetëm se vuan nga mbipesha. Vajza e re ishte sot protagoniste në rubrikën “Kam një mesazh për ty”. Ajo tregon se deri në moshën 17-vjeҫare, ajo ishte në peshë normale, por pas kësaj kohe, trupi filloi t’i ndryshonte menjëherë, aq sa në shumë pak kohë, mori një zhvillim të menjëhershëm dhe të pakontrolluar: “Më bënë magji, prandaj u shëndosha shumë. Shkova te një hoxhë dhe ai më tha që më kanë bërë magji. Nuk kisha asnjë shqetësim shëndetësor, nuk kishte asnjë shpjegim kjo rritje peshe në mënyrë të menjëhershme. Ishte e beftë dhe pa asnjë argument shkencor. Të gjithë më larguan, më mënjanuan sepse isha mbipeshë….” – tregon ajo.

Por nuk mbaron me kaq. Paragjykimeve për këtë “fatkeqësi” iu shtuan edhe ato të djalit me të cilin ishte dashuruar. Elda tregon se historia me të mori fund vetëm për shkak të mbipeshës, ishte shumë pranë fejesës, por e ëma e të dashurit i vuri kusht të birit: “U prezantuam me familjet, por familja e tij nuk pranoi. Madje, e ëma i tha “po e pranove, unë do vras veten…” Të gjithë këtë e bënë për shkak të mbipeshës sime…” – tregon Elda e përlotur. E bindur që këtë histori dashurie e ka hedhur pas krahëve, ajo tregon se, me gjithë përpjekjet e ish të dashurit për t’u rikthyer, ajo nuk do të pranojë më: “Ata më kanë fyer një herë, pse duhet t’i pranoj?”

Elda erdhi në “Ka një mesazh për ty” për t’i dërguar një mesazh tezes së saj, e cila, bashkë me të bijën, në situata aspak të këndshme e kishin paragjykuar, përbuzur e përҫmuar mbesën për shkak të mbipeshës, madje tezja kishte ndërprerë edhe komunikimin me motrën, mamin e Eldës. Duke rrëfyer historinë që nisi nga disa sinjale fyese në ‘Facebook’, Elda i kërkoi tezes që të pajtohej me të ëmën dhe t’i linin mënjanë mëritë e paragjykimet, të cilat nuk mund të jenë të mira për asnjërën prej tyre: “Teze, ti ndoshta nuk e prisje këtë surprizë nga unë, por të gjitha ato që kemi kaluar dhe të gjitha ato që janë thënë, unë dua t’i lë mënjanë, nuk jam fajtore për të gjitha ato. Unë dua të të shtrij dorën dhe të të kërkoj që t’i lësh mëritë me mamin dhe të pajtohesh me të. Nuk dua që të mbash mëri me mamin për shkakun tim dhe të Denisës. Dhe unë dua që të mos ma përmendni më punën e mbipeshës….”

Pas këtij mesazhi, tezja e Eldës konfirmoi se do t’i linin mënjanë mëritë dhe do të ishin bashkë si gjithmonë. Pas kësaj, në studio u bashkua dhe nëna e Eldës, të cilat pohuan se pas këtij episiodi asgjë nuk do t’i ndajë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: