Ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit.

Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Meidani thotë se Nishani ishte Presidenti më i ri në moshë gjatë periudhës së pluralizmit politik.

Ndër cilësitë e ish-Presidentit, Meidani veçon maturinë, thjeshtësinë dhe qetësinë.

Postimi i plotë:

Me keqardhje mësova se, më datë 28 maj 2022, u nda nga jeta Presidenti Bujar Nishani. Në bashkësinë e ish kryetarëve të shtetit shqiptar të periudhës së pluralizmit politik, ai, deri tani, ka qenë dhe kolegu ynë në moshën më të re. Ndoshta, e kam kontaktuar zotin Nishani dhe shumë kohë më parë, por në memorien time janë të regjistruara mjaft takime, qëndrime e biseda të përbashkëta, brenda dhe jashtë shtetit, vetëm disa vite para përfundimit të mandatit të tij si President i Republikës. Që në fillim, më ka bërë përshtypje maturia dhe thjeshtësia e tij dhe, mbi të gjitha, qetësia, angazhimi dhe përkushtimi serioz, brenda një brishtësie të përkohshme. Mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë për të u bë akoma më i qartë në mjaft veprimtari ndërkombëtare e rajonale, në të cilat unë dhe zoti Nishani, si ish kryetarë shteti, kemi përfaqësuar këndvështrimin politik shqiptar dhe vetë Shqipërinë.

Në të gjitha rastet që kemi qenë bashkë, më gëzonte fakti që ai e konsideronte me ndershmëri politike, përgjegjësi qytetare e thjeshtësi njerëzore, si pjesëmarrjen, ashtu dhe vetë përgatitjen e kujdesshme apo referimin me dinjitet në veprimtari të tilla…
Lexova dhimbjen dhe pikëllimin në të gjitha reagimet e miqve besnikë dhe e shokëve të dashur të tij, por, në veçanti, një ndjenjë pozitive më krijuan dhe mjaft mesazhe nga të dy krahët e politikës shqiptare mbi humbjen e parakohshme të jetës së këtij personaliteti politik të tranzicionit shqiptar. Pavarësisht brendësisë së sinqeritetit të reagimit, e tillë duhet të jetë, në të vërtetë, jo vetëm gjuha politike, por dhe mesazhi publik e kodi etik në çdo rast tjetër, sepse rrezatimi i tyre në shoqëri veçse e bëjnë atë më njerëzore, më të shëndetshme dhe më të përkushtuar. Për këtë shoqëri të civilizuar, për një politikë të drejtë dhe një shtet human e demokratik, ai jetoi dhe punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij të ngushtë!
Presidenti i Shqipërisë (1997-2002)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb