Analistit komentuan në emisionin “Real Story”, në News24, zhvillimet e fundit politike, duke u ndaluar te ndryshimet në qeveri, që përkuan me largimin e Besa Shahinit nga Ministria e Arsimit në ditën e parë të vitit të ri shkollor.

Fatos Lubonja komentoi deklaratën e ish-ministres Shahini se do të angazhohej me një të majtë të re dhe demokratike, duke thënë se ajo e ka fjalën për të majtën e Albin Kurtit.

Ndërsa për Skënder Minxhozin, Shahini ishte një ministre de facto e ardhur nga Kosova dhe sjellja e saj në Shqipëri, bashkë me Gent Cakajn, ishte një eksperiment totalisht i dështuar i kryeministrit Edi Rama.

Pjesë nga diskutimet:
Fatos Lubonja: Jemi te mostransparenca e këtyre njerëzve, që s’kanë kurajo të flasin hapur. Për mua, kur thotë të majtë e re, Shahini ka parasysh të majtën e Albin Kurtit dhe jo të majtën e Ramës.

Skënder Minxhozi: Shahini ishte një ministre de facto e ardhur nga Kosova, që kishte atë aureolën, por që nuk pamë kurrë ta shprehte, ashtu si edhe Cakaj. Këta dy persona nuk u munduan aspak të krijonin një profil politik në Shqipëri. Ky është një eksperiment totalisht i dështuar dhe i pafatë i Ramës. Nuk kemi luksin të shkëmbejmë politikanë me Kosovën, kur na dalin e teprojnë politikanët tanë.

Arjan Vasjari: E vetmja rrugë për të pasur një integrim është pikërisht kjo që ka bërë Rama, pavarësisht se ka dështuar sot. Fakti që nuk ka funksionuar nuk do të thotë që s’duhet të vazhdojë. Ne marrin individë, që kanë një profil të caktuar, i sjellim në jetën politike shqiptare, me gjithë problemet që ka kjo e fundit, dhe nëse kjo nuk funksionon, kjo nuk do të thotë se ky proces nuk duhet të vazhdojë.

Lubonja: Albin Kurti ka sukses se ka folur kundër kapjes së shtetit, por edhe për disa elementë që kanë të bëjnë me publiken, kundër privatizimit, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb