Ditën e djeshme në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 u trajtua historia e një nëne 67-vjeçare e cila u rrëfye për publikun se ishte dhunuar psikologjikisht nga djali dhe nusja.

Fatmira Koleci shprehu dhimbje dhe lot në sy, teksa tregonte për sakrificat dhe jetën e vështirë pas vdekjes së bashkëshortit. Përballë gazetares Evis Ahmeti ajo apeloi ndihmë dhe kërkoi një strehë për të jetuar larg stresit dhe dhunës! Sot në studio ka qenë djali i saj cili jeton së bashku me të në të njëjtën banesë. Ai mjaft i shqetësuar me veprimin që bëri nëna shprehet se asgjë nga sa ka treguar ajo nuk është e vërtetë, “Pikërisht për këtë të vërtetë ndodhem sot këtu”, shprehet ai. Po cila është e vërteta e gjithë kësaj historie.

“Unë kam provuar që të lidhem drejtpërdrejt me emisionin e djeshëm për të treguar të vërtetën e asaj që foli nëna ime ditën e djeshme. Nëna dje u rikthye në familje dhe nuk e kam pyetur kurrë se për çfarë erdhi dje në studio. Nëna ime ka qenë e qetë gjatë gjithë kohës dhe ajo nuk ka komunikim fare me nusen time edhe pse ajo mundohet t’i shërbejë asaj me kushtet që kemi. Nëna ime gjithmonë nuk ka shkuar mirë me nusen, ajo dëshiron që unë të rrah nusen time ditë për ditë. Nëna ime ka qenë e dhunuar nga babai im, por ajo kohë ishte ndryshe. Unë kurrë nuk e kam ngacmuar apo bezdisur. Ka dashur të rrijë si të dojë dhe ku të dojë nga dhomat. Jashtë familjes, mund të thotë çfarë të dojë por unë e kam nënë dhe kurrë nuk e hedh në rrugë. Nga veprimet që bënë kërkon që unë ta dhunoj nusen. Nëna ime nuk ka punuar asnjë ditë, ne jemi katër fëmijë të gjallë dy prej vëllezërit kanë ndërruar jetë.

Nëna pas operacionit nuk është ajo që kam njohur më parë. Shpenzimet e operacionit të nënës janë kontribuar nga ne të tre fëmijët. Nënës nuk i kam kërkuar kurrë punë madje ajo të ruaj shëndetin e saj. Unë nuk jam ulur kurrë përballë nënës. Para tre ditësh piva një kafe në verandë me nënën por kurrë nuk i thash asnjë fjalë. Ndonjëherë jam nxehur gjatë debatit me të dhe nuk ja kam thënë kurrë që ti je nënë e keqe. Nëna ime është e mirë, është karakter i fortë. Nëna ime ka gënjyer për vetëvrasjen e vëllait, unë isha në punë në Greqi, ishim të tre bashkë por ai nuk di pse e bëri atë vetëvrasje. Ne shkonim mirë me njëri-tjetrin si vëllezër por nuk e di pse e bëri atë veprim”, deklaroi djali.

Në emision erdhi dhe dëshmia e nipit të 67-vjeçares, i cili tha se Fatmira Koleci nuk është dhunuar asnjëherë nga familja.
“Na vjen shumë keq që ndodhën këto gjëra, shumë gjëra nuk janë të vërteta. Ata janë dy çuna të mrekullueshëm të cilët kanë punuar e sakrifikuar gjithë jetën. Unë kam qenë 6 vjeç kur Fatmira ka ardhur nuse në atë shtëpi. Zonja Fatmira nuk është dhunuar asnjëherë sepse nëse do kishte ndodhur do ishim ne të parët që nuk do ta lejonim. Fatmira nuk është në asnjë moment e dhunuar as nga ana psikologjike dhe fizike. Mimoza rri në Suedi, vajza e saj, ajo nuk është në prani të familjes së Fatmirës dhe kur nuk je në prezencë nënën do mbrosh. Por unë si vëlla i them që mos të ndërhyjë në familjen e vëllait. Unë di të them që nënë Fatmirës nuk i mungon asgjë. Unë them që një djalë që merr përsipër të largohet nga banesa me gjithë fëmijët e nusen unë nuk di çfarë të them. Unë nuk e di çfarë problemi ka që ka dalë atje. Grindje nuk ka për të dal në televizor, por grindje ka kudo në çdo shtëpi. Unë menjëherë pas emisionit shkova menjëherë në familje sepse unë kam detyrime për familjen e xhaxhait tim jam rritur aty jemi vëllezër”, tha nipi.

Djali i Fatmira Kolecit pohoi se nëna e tij është me sklerozë dhe se ai ka punuar që fëmijë dhe i ka shërbyer. “Edhe kur nuk kemi qenë ne aty edhe vëllai im që rri me të, i kam gjetur zgjidhje. Shqetësime ka kurdoherë por jo në atë pikë”, u shpreh i biri.

Por vajza e Fatmira Kolecit e cila jeton jashtë shtetit mbështeti versionin e nënës.

“Ata gënjejnë, dua të them që ata duan t’i kërkojnë falje publike nënës. Unë jam gati ta marrë nënën”, tha ajo.

Ndërsa vetë Fatmira Koleci u shpreh se i biri është problematik së bashku me nusen.

“Djali e ka ditur që do vija në televizion dhe gënjejnë që nuk dinë gjë që unë kam ardhur në televizion. Ai problematiku që ke aty më thoshte dje që shko në gjykatë të Hagës. Unë dje të gjithëve ju kam treguar që do vija aty. Ai është problematik, nusen e ka problematike, nuk jam dakord që ta dhunojë nusen”, deklaroi gruaja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb