Nëna e 21-vjeçarit Aldi Rama që ditën e djeshme vrau nënkomisarin Saimir Hoxha jetonte larg prej djalit. Prej disa vitesh ajo është vendosur në Durrës dhe jeton me motrën e saj. Gazetarja Klodjana Haxhia raportoi për “BalkanWeb” se Valbona Kolgjini, është shoqëruar pasditen e djeshme nga Policia, pas ngjarjes së rëndë në Lezhë, ku djali i saj vrau nënkomisarin Saimir Hoxha, ku ka dhënë dhe dëshminë e saj.

Ajo ka deklaruar në polici se me të birin kishte pak kontakte, pasi nuk jetonte me të pas divorcit me babain e tij, ndonëse 4 vjet më parë ishte regjistruar në Durrës si banore e lagjes 17 bashkë me djalin.

“Me djalin kisha pak kontakte, sepse pas divorcit ai qëndroi në shtëpinë e xhaxhait në Lezhë. Unë shumë pak takohesha me djalin dhe nuk isha në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal”, ka thënë ajo në polici në dëshminë e zbardhur nga gazetarja Haxhiaj për “BalkanWeb”.

Ndërkohë sot News24 ka qenë pranë banesës ku jetonte nëna e autorit në zonën e “Plazhit” në Durrës, por ajo nuk ka pranuar të flasë. Të vetmet fjalë që ka thënë jashtë kamerave, kanë qenë se në shtëpinë kanë hapur dyert e mortit për humbjen e djalit 21 vjeç.

“Ne jemi në zi, më ka humbur djali 21 vjeç. Jemi shumë të hidhëruar”, ka thënë e ëma. Megjithatë nuk dihet nëse ceremonia do të bëhet në Durrës apo në Lezhë nga xhaxhai i tij.

Prindërit e 21-vjeçarit ishin të divorcuar, teksa babai i tij mësohet se ndodhet në një burg në Greqi, i dënuar për vrasjen e një personi, të cilin e kishte prerë me sharrë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb