Dyshja ukrainase TVORCHI, të cilët po përfaqësojnë vendin e tyre në konkursin e këtij viti në Eurovizion, janë bashkuar me Visa dhe platformën për mbledhjen e fondeve UNITED24 (e nisur nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky), për të mbledhur fonde për pajisje për të ndihmuar foshnjat ukrainase të lindura para kohe për shkak të stresit të luftës.

Gjatë ceremonisë së hapjes së Eurovizionit që u zhvillua të dielën në qytetin anglez Liverpool, dyshja kishin veshur kostume me emrat dhe peshat e foshnjave ukrainase të lindura para kohe të shfaqura në xhaketat e tyre.

“Sofiae, 1340 gram. Marichka, 804,6 gram. Nikita, 1280 gram. Alice, 1600 gram. Denis, 900 gram…Këta emra dhe pesha janë shfaqur në kostumet tona, që i kemi veshur në pistën e bruztë të Eurovizionit”, shkruan dyshja TVORCHI në një postim në Instagram të hënën.

“Ato i përkasin fëmijëve që kanë lindur në Ukrainë gjatë luftës, shumë të vegjël. Më shpesh, sepse nënat e tyre përjetuan stres gjatë shtatzënisë për shkak të shpërthimeve, granatimeve dhe ndjenjës së vazhdueshme të kërcënimit”.

“Këto foshnja mbijetuan, zemrat e tyre të vogla u shpëtuan nga inkubatorët e kujdesit intensiv”, shtoi dyshja.
Sipas UNITED24, “për shkak të luftës, numri i të porsalindurve të tillë është rritur me të paktën 15% dhe pas kësaj shifre ka mijëra fëmijë vulnerabël që kanë lindur para kohe dhe nuk mund të mbijetojnë pa ndihmë të veçantë”.

Qëllimi i nismës është të tërheqë mbështetje ndërkombëtare për të mbledhur 10 milionë hryvnia (rreth 270,000 dollarë) për blerjen e 10 inkubatorëve për foshnjat ukrainase, thotë UNITED24.

Eurovisioni tradicionalisht organizohet në vendin që fitoi konkursin vitin e kaluar. Ukraina fitoi konkursin në vitin 2022, por nuk mund ta presë atë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, kështu që Mbretëria e Bashkuar po pret në emër të saj.

Tema e Eurovision 2023 është “United by music” dhe finalja zhvillohet të shtunën më 13 maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: