Në konferencën e së premtes, Presidenti i vendit Ilir Meta e vuri theksin tek një cështje sic tha, që rëndon mbi financat e vendit, sic janë paditë e investitorëve të huaj në gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Duke u nisur nga rasti i fundit i Kurum që kërkon 100 milion euro nga shteti shqiptar, Meta tha se ka kërkuar informacione pranë Avokaturës së Shtetit, por pa marrë asnjë përgjigje, raporton BalkanWeb.

“Sot më lejoni t`ju parashtroj një çështje shumë serioze.

Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar është kthyer në një rrezik të madh kërcënues për financat dhe stabilitetin ekonomiko- financiar të vendit!

E them këtë me përgjegjësi të plotë shtetërore, pasi në këto muajt e fundit, kur ekonomia nuk po rimerr dot veten nga tragjedia e 2 tërmeteve të njëpasnjëshme dhe pandemisë së COVID-19, dhe kur po rritet dita ditës niveli i borxhit publik, me hua dhjetëra e qindra milion dollarëshe në institucionet financiare të huaja, kur një barrë të rëndë po shkakton për financat e vendit papërgjegjshmëria dhe veprimtaria jo transparente e institucioneve publike, përkundrejt respektimit, ruajtjes, ndryshimit apo mbrojtjes së interesave të shtetit shqiptar përballë shoqërive koncesionare apo me të cilat shteti shqiptar ka hyrë në një marrëdhënie të caktuar juridike.

Që në datën 13 korrik 2020, kur në media u bënë publike shifra mjaft shqetësuese që reflektojnë rritje të nivelit të detyrimit të akumuluar të shtetit për çështjet e humbura nga Republika e Shqipërisë në Gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar (detyrime që shkojnë mbi vlerën 100 milionë Euro për vetëm një çështje), në mënyrë zyrtare me shkresën me Nr.Prot.2391, datë 13 korrik 2020, i kam kërkuar Avokaturës së Shtetit, të dhëna për:

Numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe e paditur, si dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek çdo çështje;Shërbimet e përfaqësimit dhe të konsulencës, dhe të dhëna mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t`u kryer;Numrin e çështjeve të fituara nga shtetit shqiptar në Gjykatat e Arbitrazhit;Numrin e çështjeve të humbura në Gjykatat e Arbitrazhit, me të dhëna mbi: Efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit; Shpenzimet administrative për mbulimin e kostove të procesit, përfshirë shpenzimet për kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të tyre. Të dhëna mbi faktin se, nëse deri më sot, për çështjet e humbura në gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar, a ka referuar Avokatura e Shtetit çështjet në organet përkatëse për nxjerrjen e përgjegjësive individuale, administrative, civile dhe penale për dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të shtetit shqiptar dhe taksapaguesve shqiptarë?!

Po ashtu, për çështjen “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që sipas fakteve të bëra publike, Republika e Shqipërisë ka humbur çështjen gjyqësore në arbitrazh dhe ka një vlerë detyrimi prej 99,598,580 Euro, ndërsa kostoja administrative dhe ankimi për të njëjtën çështje ka vlerën prej 311.413 Euro, kam kërkuar informacion të plotë dhe të veçantë, duke përfshirë edhe kopje të plotë të praktikës që me lindjen e konfliktit, deri në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, të përkthyer zyrtarisht.

Nga sa është bërë publike, Vendimi i Arbitrazhit për këtë çështje, evidenton qartë veprimet individuale të autoriteteve shtetërore të subjekteve që çuan në penalizimin e Republikës së Shqipërisë.

Për fat të keq, siç është bërë publike, deklaratat dhe veprimet edhe të Kryeministrit kanë patur rol thelbësor në vendimmarrjen e gjykatës që penalizon Shqipërinë dhe taksapaguesit shqiptarë.

Jam i bindur se pikërisht nevoja e tyre për të fshehur nga opinioni publik të vërtetën dhe përgjegjësitë e tyre personale, janë arsyet që kanë çuar në mosdhënien e informacionit për Presidentin për më shumë se dy muaj e gjysmë!

Në datën 14 shtator, me shkresën tjetër me Nr. 2391/1, i dhashë një mundësi për herë të dytë Avokaturës së Shtetit që të përcillte informacionin, edhe pse ishte me shumë vonesë dhe në shkelje të detyrimit kushtetues për të informuar Presidentin e Republikës.

Deri tani, sërish heshtje e plotë.

Kjo nuk tregon më për papërgjegjshmëri apo paaftësi në përmbushjen e detyrës, por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin e kërkuar mbi detyrimet e akumuluara nga shteti për çështjet e humbura në gjykatat e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Dhe ja ku përsërititet sërish skenari, me një çështje tjetër të ngritur që merr emrin “Durrës Kurum Shiping sh.p.k dhe të tjerë Kundër Republikës së Shqipërisë”, por që në fakt pretendimet lidhen me veprimet e institucioneve të administratës qeveritare.

Shuma e detyrimit të pretenduar këtë herë? Një 100 milion euro të tjera.

I vënë në dijeni mbi mundësitë e regjistrimit të kësaj çështjeje për shqyrtim kundër Republikës së Shqipërisë, i jam drejtuar po shkresërisht Këshillit të Ministrave, Avokaturës së Shtetit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Autoritetit Protual Durrës, dhe për dijeni Kontrollit të Lartë të Shtetit, të ndjekin me urgjencë dhe përparësi trajtimin e kërkesës së gjykatës ndërkombëtare sipas afateve dhe kushteve të caktuara, gjithmonë dhe vetëm në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar dhe të taksapaguesve tanë, si dhe të informojnë menjëherë Presidentin e Republikës!

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb