“Dola te Ola” erdhi te teleshikuesit në momentin e duhur, atëherë kur të gjithë kishin nevojë për një program të tillë, të mbushur plot me rrëfime, refleksione, pozitivitet, emocione, dashuri dhe muzikë.

Një program që solli personazhe nga të gjitha fushat, të cilët kanë dhënë kontribute të vyera në shoqëri. Ata erdhën te publiku ndryshe, ku treguan për ndjenjat e tyre, për dëshirat, pendesat apo pengjet, me sinqeritet, si rrallëherë ndodh në emisionet televizive shqiptare.
Pas 4 muajve në studiot e Neës24, programi i fundit i “Dola te Ola” u zhvendos në një mjedis të mrekullueshëm pranë detit dhe pishave në Golem, në perlën e këtij bregdeti, në resortin “Prestige”. Ndryshe nga çdo herë tjetër përveç telespektatorëve, programin e ndoqën edhe spektatorë, të cilët kishin zgjedhur resortin e mrekullueshëm për të pushuar.

Programi filloi me një hyrje mbresëlënëse nga moderatorja Ola Bruko, e cila përshkroi mes emocioneve këtë rrugëtim të bukur që ajo ka bërë së bashku me të gjithë personazhet, të cilët i ka patur të ftuar. Një klip me momentet më të bukura të programit ishte po aq emocionues edhe frymëzues.
Kjo mbrëmje e fundit iu dedikua vëllezërve korçarë, atyre që me muzikën dhe ndërhyrjet e tyre e kanë bërë këtë program edhe më të bukur.

“Dola te Ola” është padyshim suksesi i radhës i autores Ola Bruko dhe kryeredaktores Anila Jole, të cilat sollën të publiku një program të punuar me shumë dashuri, si një dhuratë të bukur pas pandemisë.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb