Ma ankthin e sfidës së Ballshit, me frikën e çastit në Vlorë, rrogat e Vllaznisë dhe stadiumet bosh! Futbolli në Shqipëri ka zbritur në fushë dhe topi ka nisur të rrotullohet ndonëse pragndeshjet janë shoqëruar nga problematika të gjera.

Federata Shqiptare e Futbollit ka këmbëngulur që kampionati të rinisë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë “ok” e saj dhe ekipet e kanë nisur aty ku e lanë, në javën e 27-të të superiores që po luhet në këto momente. Natyrisht lojtarët nuk janë në gjendjen optimale, por e rëndësishme është të mbyllet sezoni në fushë.

Ajo e Qardakut ditën e djeshme ishte frika më e madhe e futbollit tonë. Shkodrani i Bylisit rezultoi pozitiv ndaj Covid 19 pas testeve dhe është në karantinë, teksa ditën e sotme u konfirmua se situata e tij është një rast i izoluar dhe se pas kontrollit te Bylisi nuk ka asnjë lojtar tjetër të infektuar.

Vllaznia udhëtoi drejt Vlorës me dy mendje pasi lojtarët nuk kanë marrë ende pagat, por ajo që tronditi më shumë ishte situata e lojtarëve të saj në momentin e mbërritjes në stadium, pasi katër prej tyre ishin me temperaturë. Pas ribërjes së testeve, gjendja e lojtarëve ishte normalizuar dhe takimi filloi normalisht.

Pamjet që vijnë nuk janë më të bukurat sepse stadiumet janë “memecë”. Mungojnë tifozët. Dakort edhe gjatë sezonit numri i tyre është i vogël, por ajo ftohtësia e shkallëve është vërtet e padurueshme dhe shpresojmë që tifozët të kthehen sa më shpejt, ndonëse ky sezon duket i destinuar të mbyllet në këtë mënyrë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb