Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur sot historia e një zonje 48-vjeçare, e cila në pjesën më të madhe të jetës ka ecur mbi dhimbje dhe lot. Në fytyrën e saj këto vuajtje kanë lënë gjurmët e tyre dhe nuk kanë qenë të pakta
peripecitë e saj, si braktisja nga partneri që nuk u bë kurrë burrë për të dhe baba për fëmijët që i ka rritur e vetme.

Siç tregon ajo, u njoh në moshën 27-vjeçare me një djalë 22 vjeç. Pikërisht këtu nis e gjithë rrjedha e keqe e jetës së saj. U mashtrua dhe u gënjye që në takimin e parë me djalin i cili betohej se e donte. Por gjërat rrodhën ndryshe, pasi erdhën në jetë dy fëmijët dhe pasi u braktis nga të gjithë për shkak të kësaj bashkëjetese u braktis edhe nga bashkëshorti. Ishte vetëm 27-vjeç kur filloi të bëhej edhe baba edhe nënë për fëmijët që sot janë 21 vjeçe vajza dhe 18 djali. Ajo sot ka një thirrje për ndihmë nga institucionet pasi janë të gjithë pa punë dhe e ka të pamundur t’iu vijë në ndihmë fëmijëve.

“U largova në moshën 23 -vjeçare në Greqi, pa dëshirën e prindërve. Ata nuk u pajtuan kurrë me ikjen time edhe sot e kësaj dite ata më kanë braktisur. Shkova në një fshat të Greqisë dhe aty punoja në bujqësi dhe më mbante një zonjë greke. Aty në atë fshat u njoha me një djalë i cili mu afrua vet dhe më shprehu pëlqimin e tij. Ai më tha se ishte po aq sa mua në moshë, pra 27 vjeç. Por e vërteta doli ndryshe ai ishte vetëm 22 vjeç. Më tha se më donte dhe unë e pranova në banesën time pasi edhe ky ishte i dëbuar nga familjarët e tij. Mirëpo pas ca kohësh vëllai i tij më tha se ai më kishte gënjyer për moshën dhe se ishte vetëm 22 vjec. Ne vazhduam bashkëjetesën së bashku dhe erdhi në jetë fëmija i parë, vajza. Ai nuk punonte, nuk sillte të ardhura, më gënjente dhe më thoshte se fëmija nuk më ngjan mua. Pasi vajza erdhi në jetë ai nuk u kujdes kurrë për të. Pas dy vitesh erdhi në jetë fëmija i dytë, djali, por as këtë nuk e pranoi, ai nuk mori kurrë atësinë sepse familja e tij nuk e pranonte moshën time. Edhe tani që u rritën fëmijët, ai vajzës i thotë që mos të më dojë mua si nënë. Ai iku më la në Greqi, më braktisi në mesin e katër rrugëve. Pas 10 vitesh largim të tij vajza kërkoi ta takonte dhe ta gjente babain. Por vajza mori të dhëna që babai i saj ishte i martuar kishte krijuar një jetë të re dhe kishte fëmijë të tjerë. Familja ime nuk më pranoi në shtëpi, unë gjeta një shtëpi me qira dhe aty jetoja. Në vitin 2014 u ktheva në Berat, kam lëvizur në Greqi me muaj dhe jam kthyer. Në Gjermani kam shkuar kur më la bashkëjetuesi. Vajza sot jeton në Tiranë, se kur u kthyem këtu në Berat, kushtet nuk ishin ashtu si duheshin edhe vajza u largua në Tiranë me një shoqe. Aty ajo vendosi edhe marrëdhëniet me të atin. Ajo kujtoi se do kthehej te i ati mirëpo gjërat nuk ishin ashtu. Ajo mori një shtëpi me qira me një shoqe, e kërkova me polici se nuk kisha njoftim ku ishte. Ajo nuk pranoi të kthehej më. Bashkia e Beratit na përkrahu me fëmijët me pension të statusit të jetimit. Por pasi fëmijët mbushën moshën nuk e morën më. Unë jam dhunuar nga ai fizikisht dhe psikologjikisht, një moment nuk pranova më të jepte atësinë te dy fëmijët. Jemi në një gjendje të vështirë”, deklaroi gruaja duke bërë thirrje për ndihmë.

Piro Xheblati, Drejtor i Shërbimit Social në Bashkinë e Beratit tha se e njohin rastin e familjes Marini prej vitesh dhe ofroi ndihmë për të punësuar djalin dhe njëkohësisht për ta futur në një kurs.

“Kemi vite që e njohim, që në vitin 2016 kur ajo u kthye nga Gjermania. Në vitin 2017 janë kthyer në Berat dhe ne i ndihmuam me pagesën e statusit së jetimit dhe ndihmën ekonomike. Është ndihmuar në kohën e pandemisë me paketa ushqimore, por kjo familje ka pasur herë pas here shkëputje nga qyteti Beratit. Por ne jemi të gatshëm dhe në bashkëpunim që të plotësojmë procedurat për bonusin e qirasë dhe punësimin e djalit në një fasoneri në bazë edhe të shkollimit të tij. Do t’i ofrojmë edhe një kurs djalit që ai të jetë i angazhuar në jetën e përditshme. Në strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, në moshën kur vajza ishte minorene kemi marr indicie nga nëna për vajzën dhe ne i kemi ardhur në ndihme me institucionet përkatëse. Do të jemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi”, tha Xheblati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: