Një javë më parë, me të drejtë shprehu publikisht zhgënjimin për atë që pa në fushë nga skuadra e tij. Nuk u kursye në kritika. Mirëpo, gjatë javës motivoi të gjithë ambientin dhe dje, Teuta arrin një kualifikim historik në turin e tretë të Konferencë Ligës.

Edmond Hasanbelliu, ekskluzivisht për “Panorama Sport” tregon emocionet e kualifikimit, vlerëson eurogolin e Plakut si dhe ka një mesazh për të gjithë skeptikët në lidhje me skuadrën e tij pas 90 minutave të para ndaj skuadrës andorriane. Ai konfirmon edhe lajmin e “Panorama Sport” për premion e majme që do të ketë Teuta për këtë arritje.

President, si ishte kjo përmbysje historike?

Jam shumë i lumtur që ia dolëm. Jam shumë i gëzuar që e bëmë të mundur që Teuta për herë të parë të ketë këtë ecuri edhe në Europë. Për herë të parë do të luajmë në turin e tretë të një kompeticioni euriopian dhe tani do të shohim çfarë mund të ndodhë më tej.

Çfarë ju gëzon më shumë?

Fakti që u mbyllëm gojën atyre njerëzve që thoshin se Teuta nuk do që të ecë më shumë më tutje. Kjo më gëzon më shumë që ia dolëm dhe tani asnjë nuk ka çfarë të thotë.

Çfarë ndodhi, nga ndeshja e parë që Teuta ju zhgënjeu, vjen kjo paraqitje?

Bëmë gjithçka siç duhet. Për këtë, me anë të gazetës tuaj dua që t’i përgëzoj publikisht të gjithë çunat dhe ekipin. Dhanë gjithçka dhe bënë të mundur kualifikimin. I falënderoj për këtë.

Cili ju gëzoi më së shumti, goli i tretë i Kallakut që vlen kualifikimin apo eurogoli i plakut për 0-2?

Në këtë ndeshje, të tre golat më gëzuan se ishin golat që na duheshin. Të tre me peshë specifike. Mirëpo, ai goli i dytë i Sebinos më gëzoi jashtë mase.

Pse?

Jo vetëm për realizimin që ishte një gol shumë i bukur. Por, më gëzoi edhe për faktin se kanë qenë shumë skeptikë për Sebinon që nuk do të mund të bënte gjë. Dhe ja si ndodhi. Më gëzuan shumë dy golat e tij./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb