Emisioni investigativ Vetting, News24

Makthi i familjes së policit të Burgjeve, Mustafa Kabili nuk mbaron vetëm me shembjen nga fadromat e ARRSH të banesës së rindërtuar pas tërmetit. Nga 130 metra katrorë banesë që zotëronte familja Kabili, kompania private kishte ndërtuar vetëm 80 metra katrorë ndërsa 50 m2 i janë hequr pronarit, i cili e kishte shtëpinë në proces legalizimi.

Pas zvogëlimit të sipërfaqes së banesës prej 130 metra katrorë që zotëronte Mustafa Kabili, rezulton që Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka përfunduar projektin prej 80 metra katror të banesës, ka certifikuar vetëm objektin.

Duke i ndërtuar më pak metra banesë nga çfarë kishte para tërmetit 2019, sipas denoncuesit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta kompensojë me më pak pagesë, duke ia ulur vlerën e banesës me rreth 50%.

“Infrastukturën e kërkojmë të gjithë, por jo kështu se e shkatërrove tjetrin. Të gjithë e kërkojmë zhvillimin, por jo në këtë formë, jo kështu se e shkatërrove tjetrin, e mbyte tjetrin”, thotë ai.

Meri Lika audituese ligjore, bën këtë shpjegim: “Ligjorja duhet të jetë që personi të dëmshpërblehej me çmimin e tregut sepse ky personi që shkon në gjykatë fiton të drejtën mbi pronën”.

Në llogarinë bankare të denoncuesit akordohet një shumë, të cilën Kabili e refuzon. Shtetit i ka kaluar 40 mijë euro për kompensimin, por me këtë vlerë ai nuk mund të blejë një banesë në zonën ku jeton.

Në këtë rast nuk është marrë parasysh çmimi i referencës, që është shumë herë më i lartë se ai që i kanë kaluar Kabilit, duke mos harruar dhe grabitjen e 50 metra katrorë.

 “Kam bërë kërkesë edhe tek shpronësimet nuk jam dakord me shpronësimin, dua të bëhem me shtëpi si gjithë banorët e tjerë. Ku blihet shtëpi këtu, 1400 euro ka shkuar m2 në Paskuqan tani”.

Sipas të dhënave nga tregu i pasurive të paluajtshme, 40 mijë euro nuk mjaftojnë për të blerë një apartament, as sa gjysma e sipërfaqes së shtëpisë që zotëronte.

 “Personat që mund të vijnë me 40 apo 50 mijë euro te ne, fatkeqësisht  ne nuk i ndihmojmë dot sepse nuk mund të blesh një apartamen me këtë shumë financiare.

Duhet të lokalizojmë zonën ku do shkojmë nëse do flasim për qëndrën do duhen për një apartament 2 plus 1 minimalisht ndërtimet e reja nëse jemi me fat gjemë dicka të repastaj nëse spostohemi larg qendrës në periferi. Në zona pak më ekonomike mund të shkoj një apartament 2 plus 1 do shkoj tek 100 mijë euro po të jemi me fat edhe 90 mijë euro thuajse është e pamundur për një familje me 4 persona”, shprehet Ervin Demirxhiu, ekspert imobiliar.

Kabili kërkon me ngulm që fëmijëve t’ju lërë një banesë, të cilën e kishte në pronësi, por mesa duket e vetmja mundësi për një punonjës të shtetit, është media.

Në të gjithë këtë tragjedi evidentohet qartësisht që kemi një mungesë akordimi midis pushtetit lokal dhe qendror.

Në këtë rast i kanë hequr pronën punonjësit të policisë, duke menduar se ai nuk do e ngrinte zërin pasi i rrezikohej vendi i punës.

Por a ka patur bashkëpunim midis Bashkisë Kamëz, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit? Si ka ndryshuar gjurma e rrugës e Unazës së Re në momentin e fundit? Kujt i mbetet përgjegjësia?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb