Vetëm një ditë pasi kundërshtari i Vladimir Putin, Alexei Navalny, akuzoi Presidentin e Rusisë për helmimin, vjen reagimi hakërryes nga Kremlini.

Rusia ka akuzuar sot Alexei Navalnyn se po bashkëpunon me CIA-n. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë akuzat e Navalnyt, duke i quajtur “të pabaza dhe të papranueshme”. Ai shtoi se specialistë nga inteligjenca amerikane po punonin me Navalnyn këto ditë dhe i kanë dhënë atij udhëzime.

“Navalny po punon me shërbime sekrete të vendeve perëndimore”, tha Peskov.

Navalny e drejtoi gishtin nga Putin në një intervistë me revistën gjermane “Der Spiegel”, duke thënë: “Putin është pas këtij krimi dhe nuk kam asnjë version tjetër për atë që ndodhi”.

Ai e përshkroi kështu momentin kur Novichok nisi të bënte efekt: “Nuk ndjen fare dhembje, por e kupton që po vdes”.

Navalny doli nga spitali gjerman javën e kaluar, pas 32 ditësh trajtim. Mjekët thonë se është shumë herët për të thënë nëse ai do të ketë pasoja afatgjata apo jo nga helmimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb