Banka e Shqipërisë prezantoi ditën e sotme dy prerje të reja të kartëmonedhave shqiptare, të cilat dalin zyrtarisht në treg duke nisur nga 30 qershori i 2021.

Në një konferencë për media, Guvernatori Gent Sejko tha se BSH prezanton sot prerjet e reja të 1 mijë lekëshit dhe 10 mijë lekëshit, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare.

Fjala e Guvernatorit Sejko:

Në datën 15 qershor 2021, Banka e Shqipërisë prezanton dy prerjet e radhës së serisë së re të kartëmonedhave shqiptare, në një ceremoni të veçantë të organizuar me këtë rast.

Në vitin 2019, Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave, e cila përbëhet nga 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë.

Seria e re paraqitet me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, me standarde të kartëmonedhave të vendeve më të përparuara. Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.

Dy prerjet e para të serisë, 200 dhe 5000 Lekë, 2 vjet pas prezantimit dhe hedhjes në qarkullim me sukses në shtator të vitit 2019, janë mirëpritur nga publiku dhe kanë përmbushur pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.

Sot, Banka e Shqipërisë prezanton 2 kartëmonedha të tjera të kësaj serie, përkatësisht prerjet 1000 Lekë dhe 10000 Lekë.

Shtypja dhe hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re të prerjes më të lartë, me vlerë 10000 Lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave, shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe të treguesve të tjerë që lidhen me trajtimin e parasë.

Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe – sipas të gjitha analizave – plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë së re

të kartëmonedhave me kurs ligjor.

Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke: ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim; ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes; dhe në këtë mënyrë, duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit.

Kartëmonedha 10000 Lekë mbart si tematikë simbolet e flamurit dhe himnit kombëtar – simbole kryesore këto të identitetit tonë kombëtar – të shoqëruara me portretin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, njëkohësisht autor i “Himnit Kombëtar”, Aleksandër Stavre Drenova, njohur me pseudonimin letrar “Asdreni”.

Kartëmonedha 1000 Lekë, pjesë e serisë së re, vjen me një dizajn të rifreskuar, por ruan të njëjtat motive të paraqitura në prerjen ekzistuese, duke pësuar ndryshime, të cilat lidhen me konfigurimin në tërësi të të gjitha elementeve të shtuara dhe të përmirësuara.

Nga 30 qershori 2021, kartëmonedhat e serisë së re 1000 Lekë dhe 10000 Lekë:

do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë; dhe
do të përdoren si mjet pagese, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese.

Banka e Shqipërisë inkurajon gjithë përdoruesit të jenë shumë të përgjegjshëm në trajtimin e çdo kartëmonedhe që mbajnë në dorë, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë dhe integritetin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb