Drejtuesi i Fushatës së Partisë Demokratike, Alfred Rushaj ka shkuar këtë të diel në shtëpinë e mësuese Shpresës, e cila të dy fëmijët i ka në emigracion. Shkarkuar nga puna 6 vjet më parë, kryefamiljarja rrëfen se sa vite të vështira e sa vetëm ndjehet pa fëmijët.

“Për mua personalisht ka qenë një shkatërrim total i familjes sime. Unë gjithë jetën kam punuar me fëmijë, kam qenë mësuese dhe gjithë jetën u kam mësuar fëmijëve dashurinë për të ndenjur në Shqipëri. Ashtu bëra edhe për fëmijët e mi.

Jam nënë, kryefamiljare, me dy fëmijë, i kam rritur me shumë sakrifica, u përpoqa t’i nxjerr në jetë, kur vjen fundi unë jam vetëm. Dy fëmijët nuk gjetën asnjë lloj zgjidhje këtu në Shqipëri. Asnjë lloj perspektive!

Mua para 6 vjetëve më hoqën nga puna në atë vit kur të dy fëmijët i kisha në shkollë, në fakultet. Djali u detyrua dhe la shkollën dhe iku jashtë shtetit, vajza mbaroi shkëlqyeshëm me tre gjuhë të huaja, ndenji sa ndenji të bëhej suport për mua dhe ajo nuk e çau dot. U mundova t’i them rrini po pastaj thashë për çfarë t’u them?! Për çfarë?! Çfarë zgjidhje?! Dy fëmijët morën rrugët.
Nuk është e lehtë për një nënë që të rrijë vetëm. Konkretisht nesër të më bjerë, mua s’më ka rënë Covidi akoma, nuk kam një njeri të më vijë! Kush do më vijë mua?! Djali nuk vjen dot që andej, vajza nuk vjen dot që andej!
Janë 300 mijë vajza, djem që kanë ikur! 300 mijë nëna, motra vetëm.”, rrëfeu Shpresa.

“Histori shumë e trishtë në fakt sepse ne të gjithë̈ jemi prindër dhe kur i çojmë̈ me pushime fëmijët diku jashtë dhe prapë ndjejmë mall jo kur ti e di që po i largon vetë, po ikin sepse nuk kanë mundësi të rrinë.

Janë rreth 1 milion shqiptarë, 950 mijë shqiptarë që duan të ikin nga Shqipëria. 90% e studentëve që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen këtu ndërkohë që 75% që mbarojnë duan të ikin jashtë! Ky është një eksod masiv.

Kur dëgjoj kryeministrin që thotë “është normale të ikin e të vijnë njerëzit” nuk ka njeri që nuk revoltohet besoj!”, i tha gjatë bisedës Rushaj.

Në mënyrë të drejtëpërdrejtë mësuesja pyeti drejtuesin politik të Njësisë 8 në Tiranë ku ajo jeton se çfarë strategjie do të ndjekë Partia Demokratike që këta fëmijë mos të ikin më jashtë shtetit.
“Ky është një eksod masiv. Kjo ka qenë arsyeja pse Lulzim Basha ka mbledh prej kohësh ekspertët më të mirë, të vendit dhe të huaj dhe u ka thënë: “Ne kemi një problem. Kemi problemin e të rinjve që duan të largohen. Kemi problemin e familjes shqiptare që po rrënohet, po varfërohet përditë ekonomikisht. Nuk dua që ta fillojmë me plane të mëdha, dua ta fillojmë nga kjo!”

Vajza që ka mbaruar shumë mirë, ne e quajmë student të ekselencës, ne kemi parashikuar që kur të mbarojë shkollën shteti t’u garantojë një vit praktikë të paguar dhe do t’u japë 300 mijë lekë shteti, vajzës dhe do shkojë të punojë diku, në privat, nuk ka rëndësi. Nuk ka privat që nuk e merr dikë që është falas.

Tarifat e studimit këtu janë më të larta se në Gjermani, është e tmerrshme! T’i ndalosh një të riu të drejtën për të shkuar për t’u edukuar, nuk ka më krim se kaq mendoj unë sidomos për ne shqiptarët që edukimin e kemi gjë të shenjtë.

Në shtesë të kësaj ne kemi menduar që të rinjtë të mund t’i ingranojmë në sipërmarrje Shpresa! Sepse ka të rinj që mbarojnë shkollën dhe duan të futen në punë dhe të punojnë ka edhe të rinj që duan të jenë sipërmarrës. Shteti do t’i ndihmojë që të ngrenë biznesin e tyre.

Janë 80% e shqiptarëve, nuk ka rëndësi nëse janë socialistë apo demokratë që duan ndryshimin! Sepse fatura e energjisë i është rritur njësoj si socialistit, ashtu edhe demokratit. Fatura e ujit me ato taksat, sidomos në Tiranë që fut ky kryetari i bashkisë i është rritur njësoj si socialistit ashtu edhe demokratit.”, tha Rushaj.

“Nuk e di çfarë morali mund të ketë t’i shkojë në derë një nëne, një motre, një që e ka lënë pa punë, një që e ka lënë pa ndihmë gjatë Covidit, një që i kanë ikur fëmijët t’i shkosh dhe t’i kërkosh për herë të tretë?! Është kurajo e madhe!”, komentoi mësuese Shpresa kërkimin nga kryeministri aktual të mandatit të tretë.
Në fund, mësuese Shpresa pasi e falenderoi Rushajn për dëgjimin e shqetësimeve të saj i tha hapur se një politikan duhet të ndjejë, jo vetëm të dijë.

“Dhe unë ju falenderoj që erdhët! Na dëgjuat! Mirë është të na dëgjoni shpesh sepse kur del në bazë dhe i dëgjon njerëzit, i sheh dhe i prek më kollaj hallet e tyre! I ndjen në radhë të parë! Duhet të ndjejë! Një politikan duhet të ndjejë! Përveç që të dijë, duhet edhe t’i ndiejë hallet! Vetëm atëherë i zgjidh hallet e njerëzve!”, përfundoi Shpresa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb