E ftuara në studion e “Vila24”, moderuar nga Brunilda Lahe, ish-zv. ministrja e Arsimit Nora Malaj, e ftuar në cilësinë e sociologes është ndalur tek puna e papaguar e grave në Shqipëri dhe përmasat alarmante të abuzimit ekonomik. Në një panel me gazetaren Aurora Golemi, Malaj iu referua shembullit konkret të trajtimit të gruas në realitetin shqiptar, kur tha se ajo edhe pse në funksione të larta shtetërore, si pjesë e komisionit të Shanseve të Barabarta, i varur nga Këshilli i Ministrave, pasi e kanë larguar nga puna nuk ka mundur dot të marrë paratë e dëmshpërblimit edhe pas fitimit të çështjes 16 vite të shkuara.

“Të drejtat e grave vështirë të njihen. U bëra deputete dhe nuk i mora dot paratë e mia…”-rrëfen ajo për herë të parë publikisht mbi këtë çështje.

Duke marrë shkasë nga një raport i Un Woman se puna e papaguar e grave në Shqipëri i ka sjellë një humbje prej 324 mln euro në vit, Malaj dhe Golemi sollën përvojat e grave shqiptare që për shkak të çalimit të punës së institucioneve përkatëse detyrohen të qëndrojnë në shtëpi e të kujdesen vetë për fëmijët, të moshuarit apo edhe personave më aftësi të kufizuara.

“Gjatë punës për hartimin e ligjit që favorizonte gratë jam takuar me shumë të tilla në rrethe të ndryshme të vendit. U habita kur më thanë se kishin nostalgji për kooperativat. Si sociloge u bëra kurioze, ndërsa më thanë se atëherë të paktën kishin motiv të takonin shoqet, të krihnin flokët e të vinin buzëkuq, ndërsa tani vrap të punojnë tokën, të gatuajnë, të kujdesen për fëmijët…e në fund të ditës janë të rraskapitura. Pra kemi të bëjmë më gra në depresion.”-shprehet Malaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb