Anëtari i ri i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gert Bogdani e ka konsideruar një përgjegjësi dhe vlerësim mbështetjen dhe besimin që anëtarët e Këshillit Kombëtar i dhanë nga procesi i djeshëm i votimit.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24 me gazetaren Nisida Tufa, Bogdani  u shpreh se Partia Demokratike duhet të jetë më e fortë për të mirën e çdo qytetari.

“Është një përgjegjësi më shumë pasi një vlerësim dhe mbështetje kaq e madhe me votë është diçka që të vë në pozicion për të qenë më i vendosur dhe i përkushtuar. Një rikthim publik, por një vlerësim i anëtarëve të Këshillit Kombëtar që më dhanë besimin. Një detyrim për të kthyer këtë besim në punë dhe përkushtim për të mirën e qytetarëve shqiptarë. PD duhet të jetë më e fortë për të mirën e çdo qytetari shqiptar”- tha Bogdani.

I pyetur për sfidat e Partisë Demokratike, Bogdani tha se jemi në një periudhë reflektimi të brendshëm pasi vijmë nga zgjedhet e 25 prillit ku u deformua vullneti i qytetarëve. Në sfidat e reja të PD-së ai ka përmendur reformën territorial, zgjedhjet lokale  si dhe nevojën për një reformë të re zgjedhore.

“Shpresoj që PD do të vijë me energji të reja me një sfidë shumë më të madhe pasi vijmë pas zgjedhjeve të 25 prillit ku vullneti i qytetarëve u deformua. jemi në një periudhë reflektimi të brendshëm dhe duhen parë sfidat e PD-së. Kufizimi i pushtetit në dorën e një njeriu të vetëm, reforma e re territoriale pasi reforma e fundit nuk është në funksion të qytetarëve, zgjedhjet lokale si dhe një reformë e re zgjedhore pasi ka nevojë për ndryshime të thella janë sfidat e radhës”- tha ai.

Bogdani tha se këtë sezon të ri politik PD do të mbajë një qëndrim të fortë duke i shpallur luftë keqqeverisjes e cila do të përballet me nje bllokadë në parlament.

“Do të jetë një qëndrim i fortë, më i fortë se më parë sepse vijmë me më shumë vende në parlament. Do të jetë opozitë më solide se ajo e 2017-ës. Lufta që do i bëhet keqqeverisjes do të jetë me e fortë. Do të kenë një bllokade në parlament aq sa e lejojnë numrat e PD”

I pyetur mbi zërat kritikë në PD të ish-presidentit Nishani dhe dorëheqjen e Mark Markut, Bogdani tha se rasti i dorëheqjes duhet parë dhe analizuar me qetësi dhe nga kritikat duhet të reflektojmë. Ndërkohë ai nuk është pajtuar me deklaratën e Nishanit i cili shprehej se PD është kthyer kokëulur, duke thënë se pas një humbje zgjedhjesh goditja është shumë e fortë, por e rëndësishme është të ringrihesh. Ai shprehu nevojën që PD të hapë dyert për zerat kritikë dhe personat që duan të kontribuojnë në të.

“Partia Demokratike ka kohë që ka zëra kritikë brenda. Rasti i zotit Marku duhet parë më specifikisht pasi është një dorëheqje pas një rezultati pozitiv . Duhet parë dhe analizuar me qetësi. Kritikat sido qofshin janë të drejta dhe nga kritikat duhet të reflektosh. Nuk ka kritikë të keqe sidomos kur bëhet me dashamirësi. Nëse nuk pranon asnjë kritikë je autokrat. Kemi kryeministrin i cili nuk pranon asnjë kritikë. Ka pas kritika të pranuara nga Mark Marku. Duhet të reflektojmë që të forcojmë Partinë Demokratike. Pas një humbje zgjedhjesh goditja është shumë e fortë. Është koha që PD të hapë më shumë dyert jo vetëm për zërat kritikë, por edhe për ata që kanë potencial. Vendi ynë ka akoma shpresë dhe zërat e shoqërisë civile nuk duhen lënë vetëm që të forcohet më shumë”- tha ai.

Ai e ka konsideruar një Déjà Vu qeverinë  e re “Rama 3” që pritet të bëhet zyrtare ditën e enjte. Ai beson se Rama do të bëjë një kapërcim të numrave të pjesëmarrjes së grave në poste, por jo për kuota gjinore dhe për shanse të barabarta, por për të thyer një rekord të tijin.

“Një  Déjà Vu e ‘Rama 1’ dhe ‘Rama 2’ ku ka njerëz që nuk i thonë jo kryeministrit. Ku njerëz të lidhur me krimin riciklohen. Do të ketë një kapërcim të numrave për gratë sepse zonjat dhe gratë janë po aq të afta dhe shanset duhet të jenë të barabarta. Por Rama nuk e bën për këtë por për të thyer një rekord të tijin”

Në fund ai është pyetur për situatën pandemike duke thënë se një izolim tjetër do të ishte dërrmues për vendin tonë.Ndërsa sa i përket ardhjes së afganëve në vend, Bogdani tha se është një detyrim  i joni pasi është një krizë humanitare, por pritja e tyre nuk mund të bëhet në kurrizin e studentëve shqiptarë që janë nxjerrë nga godinat e konvikteve.

“Është një situatë e vështirë që qeveria e ka keqmenaxhuar në disa etapa. Kontrollet dhe kushtet janë pothuajse zero. Qeveria duhet të kishte shfrytëzuar këtë kohë për të rritur kapacitete në spitale. Shpresoj që qytetarët do të jenë të përgjegjshëm të mbrohen dhe të jenë të kujdesshëm sepse po vjen një valë e tretë. Një izolim tjetër do të ishte dërrmues për aq kohë sa qeveria nuk shkon në krah të bizneseve. Nëse vini re aksionet e policisë tatimore shuan edhe penalizuan bizneset. Nëse situata keqmenaxhohet do të jetë shumë e vështirë për ekonominë.

“Është një detyrim për shkak të partneritetit dhe anëtarsisë në NATO. Është një tipar i Shqipërisë mikpritja. Duhet të ketë një menaxhim më të mirë nga ana e qeverisë. Bashkia Tiranë me të vërtete mund te kënaqë qytetarët por nuk mund të nxjerrë studentët nga godinat. Po pret afganët dhe ul poshtë rininë tënde. Ajo data 1 tetor që do lirohen konviktet është utopike. Është një krizë humanitare, por pritja nuk mund të bëhet në kurriz të studentëve”- tha Bogdani

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb