Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot nga Vlora ku u prezantua projekti “Parku i Shtëpisë së Pavarësisë” do të kandidojë si deputet sërish në Vlorë, ndërsa i ka kërkuar njerëzve që të mos dëgjojnë zërat për një largim të mundshëm të tij nga ky qark.

Ai thotë se me Vlorën e lidhin shumë gjëra dhe edhe nëse nuk do të jetë kryeministër do jetë sërish në Vlorë.

“Po e mbyll me zgjedhjet. Mos hapni llafe që s’do jem në Vlorë. Bëni kujdes se çfarë dëgjoni. Çfarë nuk dëgjohet sot në Shqipëri. Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se të bëhesha kryetar i PS, edhe kur i bëra dhe jam tani. Në Vlorë do jem edhe po të mos jem kryeministër, se do kem më pak angazhime.

Se më ikën mendja kur thonë dil e shiko realitetin, këta që më thonë mua nuk do arrijnë dot të bëjnë në jetën e tyre aq metra sa unë kam bërë kilometra nëpër Shqipëri. Aq herë e kam bërë sa e di kur më marrin në telefon se ku ka valë apo jo në rrugën ku kaloj. Kjo nuk është ndonjë zotësi, por për të thënë se s’do bëj më shumë kilometra por shumë metra rreth Vlorës me të cilën më ka lidhur fati, historia e familjes dhe dashuria për këtë bukuri të pazbuluar”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb