Në studion e “Emisionit me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur sot rrëfimi i një nëne 51-vjeçare. Jaze Çufe jeton prej shumë vitesh në Greqi dhe ka sakrifikuar gjithë jetën për fëmijët e saj. Sfida më e vështirë e nënës është përballja me sëmundjen e djalit, i cili vuan nga Hepatiti.


Këtë gjë 51-vjeçarja e mëson teksa djali kalon net të vështira me temperaturë dhe refuzonte të shkonte në spital. Këtu nis kalvari i të gjitha vuajtjeve në familjen Çufe, ku nëna do të punojë shumë për të investuar në shëndetin dhe mirëqenien e djalit. Përveç situatës së vështirë shëndetësore, djali dhe nëna do të përballen me shumë brenga shpirtërore. Jaze rrëfeu në emision jetën e djalit, i cili është martuar dy herë dhe ka sjellë në jetë katër fëmijë.


Nusja e parë e braktisi burrin për shkak të sëmundjes dhe i merr dy fëmijët. Nga boshllëku i madh që djali kishte në shpirt, ashtu i sëmurë siç ishte niset drejt Shqipërisë. Këtu njihet me një vajzë nga Durrësi dhe i kërkon nënës që të shkojnë për t’i kërkuar dorën. 51-vjeçarja ia plotëson këtë dëshirë të birit dhe brenda një kohë të shkurtër realizon fejesën dhe martesën.


Këtu fillon të shkatërrohet marrëdhënia midis nënës dhe djalit, pasi nusja mendonte vetëm për vete dhe kthen burrin kundra familjes. Djali fillon të fajësojë nënën edhe për ndarjen e martesës së parë nga e cila ka dy fëmijë. Edhe në këtë rrugëtim nëna e mbështet financiarisht dhe moralisht. Sipas saj, nusja mendonte vetëm për vete dhe kur burri nuk i realizon tekat, e kërcënon se do largohet me fëmijët. Djali sot është 39 vjeç, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Jaze thotë se djali dhe nusja nuk e duan dhe mundohen t’ia hedhin poshtë të gjithë mundimin. Në vitin 2018, djali emigron në Gjermani dhe qëndron një vit e gjysmë, më pas kthehet sërish në Shqipëri. Nëna e dëshpëruar kërkon ndihmën e emisionit për t’u lidhur me djalin, i cili ka shumë pak ditë jetë.

“Jam nëna e 3 fëmijëve, të tre të rritur dhe të martuar. Njërën vajzë e kam të divorcuar, jeton këtu në Greqi me mua. Të tre fëmijët i kam rritur me sakrificë e mundim. Djali i madh në moshën 17-vjecare iku në Greqi dhe mbas ca kohësh shkova dhe unë në Greqi. Më pas djali sëmuret me temperaturë të lartë, mjeku tha që ishte shumë rëndë, kishte hepatit. Në 2009 djali u fejua dhe në 2010 u sëmur, mjeku më tha që ishte shumë rëndë. Përpiqej të niste punën, por sa herë që niste punën sëmurej dhe e linte se nuk mundej. Nusja lajmëron familjen e saj, djali më merr në telefon, shkoj flas me prindërit e nuses dhe ata më kërkuan ta merrja djalin sepse ishte i sëmurë. Ju kërkova të mos e bënin një gjë të tillë për shkak të fëmijëve.
Megjithatë djali u nda iku dhe erdhi në Athinë, rrinte tek e motra. Më pas më thotë ‘mama unë do iki në Shqipëri’. Unë nuk doja, por ai bëri siç deshi. Gjeti këtë vajzën dhe më tha që kam gjetur një vajzë që e dua. Unë nuk doja sepse kisha si fillim hallin e shëndetit të tij, por nuk ia prisha, Shkova në Shqipëri dhe bleva gjithçka i duhej nuses dhe djalit. Brenda një jave marrim nuse”, tregoi gruaja.

Ajo rrëfen më tej nisjen e problemeve e nusen e djalit, megjithëse i është përpjekur t’i ndihmojë me të gjitha format.

“Unë u detyrova të iki sepse duhej të punoja, ai vetë nuk mundej. I mora këtu, pas ca muajsh nusja më tha që ishte shtatzënë. Lindi nusja dhe djali më kërkoi të shkoja në Shqipëri sepse donin ndihmë. Iu gjenda me çdo gjë. Pas një jave shikoj nusen e mërzitur, pyesja djalin s’më tregonte asgjë.
Unë as sot nuk e kam mësuar se çfarë kishin ata. Shkova pyeta nusen kush të ka mërzitur, çfarë ke? Ajo më ulërinte ‘dil nga dhoma, ik’!
Më pas i thotë djalit ‘çohu se të dua në dhomën time’. Djali nuk e dëgjoi ndërsa ajo mori nënën e vet në telefon, ulërinte, s’po kuptoja asgjë.
Për 5 minuta del djali, dridhej komplet, ishte shumë keq dhe më thotë ‘mama hajde me mua në spital’. Unë s’e kisha parë kurrë aq keq, u trondita shumë. E pyeta nusen ‘çfarë i bëre’, nuk më përgjigjej. Shkuam në spital djali qëndroi 15 ditë në spital dhe u rikthyem në shtëpi. I kërkova nuses qetësi sepse djali ishte i sëmurë. Nusja s’më dëgjonte fare, vazhdonte avazin.
Nuk dija ç’të bëja, kam menduar t’i dilja makinës para e të mbyllja sytë një herë e përgjithmonë. Të gjithë ne si familjarë e mbyllnim gojën me arsyetimin se kishim djalin të sëmurë”, rrëfen më tej 51-vjeçarja.

Ajo thotë se marrëdhënia mes djalit dhe nuses ishte e çuditshme dhe se nusja kishte qenë gjithmonë e distancuar. Sipas saj nuk i ka dashur asnjëherë por vetëm ka parë interesin.

“Unë e shihja marrëdhënien e tyre të çuditshme. Kur bënim shaka ne në familje ajo nuk qeshte tregohej shumë indiferente. Ndoshta kishte xhelozi nuk di të them. Nuk e di pse po ajo nuk më donte. Mua dhe burrin tim na donte vetëm për interes, s’më donte mua në shtëpi asnjëherë, donte vetëm valixhet me ushqime dhe paratë tona. Për asnjë tjetër nuk pyesja, vetëm për atë djalë se e kisha të sëmurë, e kisha pikë të dobët atë djalë gjithë jetën”, thotë mes lotësh gruaja.

“Pavarësisht se djali nuk më do, e dua unë që jam nëna e tij që e kam rritur me aq shumë sakrifica. Ajo nuse e kërcënon me fëmijët ndaj ai s’ka ç’të bëjë sepse fëmijët e parë i humbi dhe ka frikë”, deklaroi Jazja.

Megjithë problemet ajo kërkon të bashkohet me djalin duke i hedhur pas krahëve të gjitha.
“Kam marrë rrugët e Greqisë që djali të ishte i qetë. Ajo nuse vetëm na ka mallkuar. Ajo nuse ma bëri jetën të zezë. Vija sa herë djali ishte shumë keq në spital. Një nuse që e do burrin bën çdo gjë që ai të jetë i lumtur, nuk sillet kështu. Kur e pashë djalin në atë gjendje, i thashë nuses që nuk do ikja më. Ajo vazhdonte e vazhdonte. Djali më thoshte ti ma ik në Greqi. Ajo kur ishte djali sëmurë e futi në ambulancë dhe e nisi vetëm, nuk i tha as djalit tjetër që është me shtëpi ngjitur.
Kam bërë debat me nusen një ditë. I thashë do vij në shtëpi por ndrysho sjellje. ‘Hajde-hajde, po do të bëj atë që s’ta ka bërë njeri’, më tha nusja. Unë i them Angjelos që e dua, edhe nusen e tij e dua”, tha nëna e 39-vjeçarit.

Ndërkohë në një lidhje ‘live’ nusja e djalit të saj mohoi të ketë ndërhyrë në raportin me nënës dhe djalit. Ajo tha se mund të flasë sa herë të dojë me të birin, ndërsa tregoi dhe vuajtjet me burrin e sëmurë.

“Unë nuk kam ndërhyrë kurrë betohem për 2 fëmijët, të flas me djalin e saj sa herë të dojë, i kam respektuar si prindërit e mi. Zoti e di se ç’kam hequr unë me burrin e sëmurë”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb