Erik dhe Sana bashkë me dy fëmijët e vegjël janë nisur prej gati 7 muaj me kamper nga Holanda, në një udhëtim që do zgjasë më shumë se një vit.
Çifti pas qëndrimit në Greqi, Turqi dhe Rumani janë ndalur së fundmi edhe në Shqipëri. Erik, 36 vjeç, thotë se gjatë qëndrimit në Shqipëri kanë vizituar disa qytete dhe janë befasuar nga çdo gjë. Ata po vizitojnë Matin ku janë ndalur në qytetin e Burrelit, teksa vlerësojnë mikpritjen.
“Dimrin duhej ta kalonim diku, dhe vendosëm ta kalojmë në Turqi, Greqi dhe në vendet e tjera në Ballkan, sepse temperaturat janë të larta, ka diell në dimër.
Pas Greqisë ne po qëndrojmë në rajon për të parë disa vende dhe vendosëm të vinim në Shqipëri pasi kemi një mik të ngushtë shqiptar atje në Holandë, që quhet Soni.
Ne menduam që ta vizitonim shtetin e tij dhe kemi dëgjuar shumë histori të bukura. Kemi qenë në Përmet, Gjirokastër, Ksamil, Durrës. Njerëzit këtu janë të dashur, miqësorë dhe donim të kalonim kohë të mirë. Është shumë bukur të shikosh dhe të jesh pjesë e saj. Tani jemi këtu në Burrel”.
Për 32 vjeçaren Sana, ky është një ndër udhëtimet që familja e saj do ta mbajë mend gjatë. Edhe pse në hapësirë shumë të vogël, Sana thotë se ka arritur që të ambientohet me jetën në kamper. Ajo thotë se ky udhëtim e ka lidhur shumë ngushtë familjen.
“Ne kemi nisur udhëtimin në muajin gusht. Kemi lënë shtëpinë për një vit për të udhëtuar dhe për t’u kënaqur mesa më shumë mundësi të jetë e mundur.
Ne po eksplorojmë Evropën pasi është shumë bukur këtu. Kemi qëndruar për një kohë në Rumani, pastaj tre muaj në Turqi, në Greqi e tashmë në Shqipëri. Bota është shumë e bukur dhe ne po e shohim atë me fëmijët tanë. Është bota e tyre dhe po e jetojnë edhe ata. Është e vështirë të jesh me shumë njerëz në kamper pasi është shumë e ngushtë.
Për 2 – 3 muajt e parë ishte jetë e vështirë, por duhet të mësohesh të përshtatesh t’i bësh gjërat. Kjo na ka lidhur shumë, saqë kur flasim me miqtë tanë, ju themi që nuk jemi katër, por jemi një. Jemi lidhur aq shumë, sikur njëri të largohet ne e ndjejmë mungesën. Jam e lumtur që kjo është pjesë e jetës tonë tashmë”.
Pas qëndrimit në Burrel, udhëtimi i familjes nga Holanda do të vazhdojë në shtete të tjera deri në plotësimin e periudhës së planifikuar për pushime.
(BalkanWeb)