TIRANË

Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të një qytetareje, bashkëshortja e një efektivi të Policisë Rrugore për “shkatërrim prone”. Ka qenë 41-vjeçarja R.Pica që ka denoncuar se porta e jashtme e banesës së saj ishte dëmtuar më 28 tetor, teksa kjo gjë sipas saj ka ndodhur dhe më parë. Ndërsa më herët u raportua se bashkëshorti i saj, Ilir Pica, efektiv i policisë rrugore në sektorin e Qarkullimit Rrugor në Mat ka denoncuar një kërcënim që i është bërë familjes së tij me datë 27 Tetor.

Efektivi Ilir Pica thotë se ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë banesës së tij në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë. Sipas tij, mbrëmjen e 27 tetorit persona të paidentifikuar kanë gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës së efektivit të rrugores duke terrorizuar familjen. Efektivi tha se për këtë rast ka bërë denoncim pranë Komisariatit numër tre, por këta të fundit nuk kanë bërë asgjë në lidhje me mbrojtjen e familjes. Por nga ana tjetër Policia e Tiranës deklaron se u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi gruaja e tij ka denoncuar për dëmtimin e portës së jashtme të banesës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.3, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi shtetasja R. Pica, 41 vjeçe, ka kallëzuar se më datë 28.10.2021, persona të paidentifikuar, i kanë shkaktuar dëmtime, dyshohet me sende të forta në portën e jashtme të banesës së saj, me adresë në rrugën “Kastriotet”, Tiranë, ngjarje kjo sipas kallëzueses e përsëritur në kohë të ndryshme. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të ngjarjes”, njofton policia.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb