Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) dha dorëheqjen të mërkurën me kërkesë të presidentit Joe Biden, pak kohë pas betimit të presidentit.

Michael Pack shërbeu për pak më shumë se shtatë muaj të trazuar si shef ekzekutiv i agjencisë, sipas legjislacionit të ri që i jepte atij përgjegjësi të zgjeruara.

Mandati i ish producentit konservator të filmave dokumentarë u shënua me procese gjyqësore, ankesa të sinjalizuesve, kërkesë nga Kongresi për ta detyruar të paraqitej në një seancë mbi agjencinë që ai drejton, si dhe vendime të gjykatës që i ndaluan atij të ndërhyjë në operacionet e organizatave që mbikëqyren nga USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, i cili mbështet lirinë globale të internetit.

Në një letër lamtumire për punonjësit, zoti Pack tha se ishte “përqendruar vetëm në riorientimin e agjencisë drejt misionit të saj dhe” për të ndihmuar agjencinë që t’i tregojë botës rrëfimin për Amerikën në mënyrë objektive dhe pa paragjykime”. Zoti Pack shtoi se beson që nën udhëheqjen e tij u përmbushën “reforma shumë të nevojshme”

Sidoqoftë, shumë nga veprimet e tij u dënuan nga kritikët në Capitol Hill si dhe grupet për mbrojtjen e lirisë së medies dhe sinjalizuesve.

Në një letër të shpërndarë nga mbështetësit e zotit Pack dhe që thuhet të jetë teksti i dorëheqjes së tij zyrtare, ai e cilësoi kërkesën e administratës Biden për dorëheqjen e tij si “një akt partiak”. Zoti Pack shtoi se konfirmimi i tij në Senat parashihte një mandat tre-vjeçar për të siguruar që kreu i agjencisë ishte “i paprekshëm” nga ndryshimet në administratë.

Një ndryshim administratash zakonisht nënkupton një lëvizje masive të të emëruarve politikë ose zyrtarëve të tjerë të rangut të lartë. Dorëheqja e zotit Pack ndodhi ndërsa shumë të emëruar të tjerë të ish presidentit Donald Trump dhanë dorëheqjen me ardhjen e administratës së e re.

Të mërkurën vonë, Shtëpia e Bardhë emëroi drejtoren e programeve të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, ushtruese detyre në krye të USAGM. Një veterane e agjencisë, zonja Chao ka më shumë se 20 vjet përvojë pune në Zërin e Amerikës, duke përfshirë punën si gazetare në terren, postin e shefes së byrosë së Hong Kongut, shefen e shërbimit Mandarin dhe të drejtores së divizionit të Azisë Lindore. Zonja Chao vitin e kaluar dëshmoi në një proces gjyqësor rreth ndërhyrjes editoriale nga zoti Pack dhe ndihmësit e tij.

Zonja Chao do të trashëgojë disa çështje të hapura që përfshijnë një hetim mbi keqmenaxhimin e pretenduar të agjencisë, të urdhëruar në muajin dhjetor nga Zyra e Kontrollorit të Posaçëm.

Ekziston po ashtu një proces gjyqësor mbi ndërhyrjet editoriale në Zërin e Amerikës dhe dy procese gjyqësore në lidhje me financimin dhe menaxhimin në Fondin e Teknologjisë së Hapur (OTF) dhe procedurat që kërkojnë prerjen e fondeve federale për OTF-në. Ekziston gjithashtu një kundërthënie rreth mos ripërtëritjes së vizave J-1 për gazetarët e huaj që punojnë në Zërin e Amerikës.

Më shumë se 30 gazetarë nga shërbimet e Zërit të Amerikës humbën vendet e tyre të punës dhe të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara gjatë shtatë muajve të fundit, për shkak të vendimit të zotit Pack për të mos ripërtërirë vizat e tyre.

Drejtimi i USAGM nga zoti Pack, ngjalli shqetësim që në fillim midis gazetarëve të rrjeteve të mbikëqyrura nga agjencia dhe grupeve të lirisë së medias, të cilët dënuan zëvendësimin drejtuesve të rrjeteve dhe bordeve dy partiake. Denoncuesit pretenduan raste të shumta të keqmenaxhimit, veprimeve hakmarrëse dhe hetimeve ndaj personelit që patën një efekt rraskapitës.

Në ditën e fundit të punës së zotit Pack, një organizatë jofitimprurëse për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), u dërgoi një letër ligjvënësve duke pohuar se USAGM kishte shpenzuar të paktën 2 milionë dollarë të taksapaguesve për të paguar një firmë ligjore private për të hetuar dhe hartuar dosje për punonjës tëp agjencisë dhe OTF-it.

“Kjo humbje e burimeve qeveritare është tronditëse,” tha në një deklaratë David Seide, këshilltar i lartë në GAP. “Ne besojmë se ka gjasa që hetimi shtesë të zbulojë më tej shkelje të ligjeve, rregullave dhe rregulloreve, keqpërdorim të kompetencave dhe keqmenaxhim të rëndë”.

Veprimet e zoti Pack gjithashtu nxitën kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres. Në shtator, Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve i dërgoi zotit Pack një kërkesë të detyrueshme për t’u paraqitur në një seancë dëshmish, pasi ai anuloi një paraqitje të planifikuar për të dëshmuar.

Ligjvënësi Michael McCaul nga Texasi, republikan në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve i tha të mërkurën Zërit të Amerikës se shpreson që shefi i ri ekzekutiv i agjencisë do të punojë për të promovuar lirinë e shtypit.

“Misioni i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale është të çojë më tej lirinë e medias dhe të internetit në të gjithë botën,” tha ligjvënësi McCaul. “Në bashkëpunim me Fondin e Teknologjisë së Hapur, agjencia ka një histori suksesi në sigurimin e qasjes në internet dhe mbështetjes jetike për qytetarët në Kinë, Iran, Rusi dhe vende të tjera autoritare”.

Zoti McCaul shpreson që “drejtori i ri ekzekutiv të përqendrohet në zgjerimin e përpjekjeve të agjencisë në të gjithë botën për të promovuar një shtyp të lirë dhe të hapur”.

Ish presidenti Trump e emëroi zotin Pack për të udhëhequr USAGM, por Senati e vonoi konfirmimin për dy vjet, deri në qershor të vitit 2020. Më në fund Senati e miratoi atë, pasi ish presidenti Trump filloi të sulmojë Zërin e Amerikës dhe kërkoi që republikanët në Senatit ta konfirmonin zotin Pack.

Senatorët demokratë kishin ngritur shqetësime se ai nuk ishte i përshtatshëm për atë detyrë pasi ishte nën hetime për keqmenaxhim fondesh të një organizatë jofitimprurëse që ai drejtonte.

Në intervistat me mediet konservatore si dhe në një editorial të 15 janarit në gazetën “The Wall Street Journal”, zoti Pack i mbrojti veprimet e tij, duke thënë se po punonte për të trajtuar shqetësimet e sigurisë brenda agjencisë, ndërsa theksonte njëanshmërinë liberale në përmbajtjen e programeve të Zërit të Amerikës. Zoti Pack akuzoi gjithashtu paraardhësit e tij për “vulosje automatike” të vizave J-1 dhe tha se agjencia po e përdorte procesin si një “rrugë drejt shtetësisë”.

Në intervistat e tij, zoti Pack shpesh theksoi hetimin nga ndihmësit e tij të shërbimit në gjuhën urdu të Zërit të Amerikës për transmetimin e një reklame të fushatës së zotit Biden, si një shembull i kësaj njëanshmërie. Në shkrimin e tij në Wall Street Journal, ai tha se si i emëruar nga ish presidenti Trump “kurrë nuk do të kishte lejuar që një reklamë e fushatës pro-Trump të transmetohej në Zërin e Amerikës”.

Në një padi të sinjalizuesve që pretendon keqmenaxhimin dhe ndërhyrjet editoriale, thuhet se afërsisht në të njëjtën kohë me hetimin në shërbimin në gjuhën urdu, shërbimi në gjuhën spanjolle i Zërit të Amerikës publikoi reklamën e fushatës së presidentit Trump në mediet sociale. Në atë rast, thuhet në padi, drejtuesit e Zërit të Amerikës u morrën me këtë çështje, ndryshe nga shembulli i rastit me zotin Biden, ku USAGM anashkaloi procedurat normale, në mënyrë që të hetonte vetë drejtpërdrejt.

Në shkrimin e javës së kaluar, zoti Pack tha se rrjetet “u rebeluan” kundër vendimeve të tij, duke pretenduar se gazetarët përdorën kontaktet e tyre me mediat dhe Kongresin që çoi “në rrjedhje të pafundme informacioni, llogari të rreme, padi të pambështetura dhe hetime nga Kapitoli”.

Shkrimi u botua pak pasi të paktën 48 gazetarë dhe ish-gazetarë e drejtorë të Zërit të Amerikës i shkruan zoti Pack, duke kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Zërit të Amerikës, Robert Reilly dhe zëvendësit të tij, pas transferimit të korrespondentes së Zërit të Amerikës që mbulonte Shtëpinë e Bardhë në një detyrë tjetër.

Pack mori pak mbështetje të jashtme për vizionin e tij për agjencinë, përfshirë dy ish-punonjës. Ted Lipien, i cili deri vonë ishte redaktor i një blogu shpesh kritik ndaj udhëheqjes së kaluar të agjencisë, dhe zoti Reilly të cilët thanë se zoti Pack po ndërmerrte veprime për të trajtuar probleme afatgjata.

Në dhjetor, Michael Pack emëroi zoti Reilly për të drejtuar Zërin e Amerikës dhe zotin Lipien për të drejtuar Radion Evropa e Lirë, ndërsa më 19 janar emëroi anëtarët e rinj konservatorë për bordet e rrjeteve, duke përfshirë zotin Roger Simon, një kontribuues në portalin “The Epoch Times”, i cili i ka cilësuar trazirat vdekjeprurëse të janarit në Kapitol si një operacion “të rremë”. Një anëtar tjetër bordi i emëruar nga ai, Christian Wheaton, ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb