TIRANË

“Me Lezhën ka qenë lidhje e fortë sepse jam vajzë e dy prindërve nga Mirdita, janë rrënjët e mia familjare. Kam lidhje të forta, njohje të halleve e shqetësime e problemeve”. Kështu e përshkruan kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla lidhjen e saj si drejtuese politike e qarkut me Lezhën, gjithsesi thotë se pasimi i saj nga Blendi Klosi është një lajm i mirë.

“Në momentin e parë kam ndjerë një lloj meraku profesional, e kam lënë në duar shumë të sigurta. Fakti që vjen zoti Klosi është një lajm i mirë, një personalitet në PS, me një background të rëndësishëm, me një bagazh e protagonizëm të spikatur. ka lënë gjurmë si sekretar organizativ i PS”, tha Nikolla në “Frontline” në News24.

Duke u fokusuar tek vizita e saj e parë jashtë vendit në Kosovë, ajo theksoi se ishte zgjedhja e saj që vizitën e saj të parë jashtë vendit dhe madje jashtë Tirane ta zhvillonte në Kosovë.

“Nuk e desh rasti që të isha në Kosovë, por ishte zgjedhja ime që vizitën e parë ta bëja në Kosovë. Patëm takime shumë të frytshme me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufcën dhe kryeministrin Kurti, dakordësuam shumëçka nga puna jonë e përbashkët. Parlamentet duhet të futen në vazhdën e bashkëpunimit, në procese dhe në rezultate të matshme të punës së përbashkët dhe të ndërveprimit të dy parlamenteve. Nesër formalizojmë tryezën e parë të kryetarëve të komisioneve të cilët bëjnë një axhendë të përbashkët veprimi, për të përfituar nga përvoja.
Është një vektor tjetër që lidhet me komisionet, grupet e punës me marrëveshje me qeverinë, por formojmë një puzzle të ri. Tryeza e nesërme do prodhojë një rezultat. Do ta ndjek personalisht këtë proces të ndërveprimit”, theksoi Nikolla.

Ajo deklaroi se do të jetë gjithashtu e angazhuar në vetë të parë për njohje të reja të Kosovës.

“Është përgjegjësi e jonë për lobimin, por edhe për të vepruar në kahun tjetër për të zmbrapsur sulmin që serbët kanë për mosnjohjen e Kosovës. Të jetë një punë e parapërgatitur dhe e vazhdueshme. Jemi të angazhuar dhe e angazhuar në vetë të parë për procesin e njohjes së Kosovës si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb