Ndërsa vijon dixhitalizimi i arkivave, së shpejti Kadastra me mbështetjen e BE fillon edhe dixhitalizimin e hartave.

Këto ditë përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Tiranë, z. Hubert Perr, Drejtor i Bashkëpunimit dhe z. Peter Danis, Menaxher i Projektit BE për të Drejtat e Pronësisë, vizituan Qendrën e Kadastrës Dixhitale në ASHK. Ne këtë vizitë ata u mirëpritën nga Drejtori i Përgjithshëm i ASHK z. Artan Lame.

Përfaqësuesit e Delegacionit të BE u njohën nga afër me proceset e punës që realizohen në këtë Qendër, në mënyrë të veçantë me procesin e dixhitalizimit dhe skanimit të dokumentacionit dhe arkivit të pasurive të paluajtshme, proces i cili po zbatohet nga Kadastra Shqiptare me financim të Qeverisë Shqiptare.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nëpërmjet Projektit “BE për te Drejtat e Pronësisë”, i financuar nga fondet IPA, është angazhuar për financimin e procesit të skanimit të hartave kadastrale të pasurive të paluajtshme. Të dy këto procese komplementare do të realizojnë dixhitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale mbi pasuritë e paluajtshme, duke i hapur rrugë përmirësimit sistematik dhe korrigjimit të gabimeve dhe mangësive mbi këto të dhëna të trashëguara ndër vite, që ndikojnë direkt si në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ashtu dhe në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Të dyja këto projekte së bashku, parashikojnë dixhitalizimin dhe skanimin e e rreth 50 milion dokumentave dhe rreth 90.000 planshetave hartografike, që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës.

Vizita e përfaqësuesve të BE ishte në funksion të përgatitjeve për implementimin e këtij projekti madhor, ku ata u njohën me gjendjen aktuale të arkivës operative te Kadastrës, si dhe me ambientet e reja ku së shpejti do të sistemohet kjo arkivë si dhe veprimtaria e Drejtorive Vendore të Tiranës.

Ata konfirmuan edhe një herë angazhimin e BE nëpërmjet programimit IPA, në drejtim të forcimit te sigurisë së pronësisë mbi tokën dhe pasuritë e paluajtshme, si një nga të drejtat themelore të njeriut dhe morën përsipër përshpejtimin e procedurave burokratike me qëllim fillimin e implementimit sa më të shpejtë të këtij projekti.
Nga ana e tij Lame theksoi se “përfundimi i këtyre dy projekteve do të pajisë më së fundi Shqipërinë me një Bankë Pronash të dixhitalizuar dhe për rrjedhojë të shpejtë të saktë dhe të sigurtë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb