Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati në një intervistë për “News 24” deklaroi se politikanët shqiptarë sa duket nuk dëshirojnë drejtësi të pavarur.

“Ne në parametra ekonomike nuk kemi largësi nga disa vende të rajonit si Kosova, Bosnja, Mali i Zi. Por në këto shtete që përmenda, prapë ka një rregullësi më të madhe. Përsa i përket funksionimit të shtetit, do thosha që këto vende janë shumë më mirë se Shqipëria. Në Kosovë, GJK dha vendimin që Abdullah Hoti të mos marrë detyrën e kryeministrit dhe doli kundër Thacit. Thaci tha unë do respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Politikanët tanë thonë për drejtësinë “më mirë djepi bosh sesa djalli brenda”. Në Shqipëri për fat të keq funksionimi i shtetit ka shumë probleme”, tha Murati.

Erl Murati nënvizoi se media në Shqipëri nuk ka liri, kurse tha se problemet e medias shqiptare lidhen drejtpërdrejtë edhe me problemet që hasen në realitetin tonë të përditshëm.

“Shqipëria ka pasur dhe ka probleme me lirinë e medias. Shqipëria është shteti më i korruptuar i Europës. Unë mendoj se një media e lirë duhet të jetë e pavarur dhe e pasur. Vendet e pasura kanë pavarësi, kurse vendet e varfëra kanë më pak liri. Ndërsa në Shqipëri, duke qenë se është një vend i varfër dhe ka probleme shumë, shumë faktorë hyjnë në media. Problemet e shoqërisë shqiptare hyjnë edhe në media. Vetëm në News24 janë bërë 3-4 emisione investigative dhe nuk ka pasur asnjë gjë. Sepse nuk ka zbatim të ligjit. Ka shumë abuzime që nuk adresohen”, u shpreh ai.

Më tej, Murati vlerësoi se ligji antishpifje që kaloi në parlament ishte skandaloz.

Dua të bëj edhe një auto kritikë. Nga njëra anë, pushtetet presionojnë, por edhe mediat për fat të keq janë nënshtruar shumë ndaj pushtetit. Në Shqipëri ka qindra media të regjistruara, jane më duket 600 portale. Nuk mund të përjashtohet abuzimi me pushtetin, sepse edhe media është pushtet si të tjerat. Ka raste edhe me abuzimin nga media, por problemi i medias nuk është abuzimi, por fakti që ka denoncime anonime, tregon se ka ndrydhje e censurë. Unë dhe kolegët e mi kemi kundërshtuar paketën antishpifje, që është skandaloze dhe sjell përkeqësim të lirisë së medias në vend. Ka përmirësime të vogla, por supozohet se ne ecim me hapin e Europës”, tha gazetari Murati.

Po ashtu, Erl Murati u shpreh se beson tek reforma në drejtësi, por se nuk është parë asnjë rezultat deri tani nga SPAK apo kjo reformë, kaq shumë e proklamuar.

“Ka më shumë se 1 vit e gjysmë që ka krizë në vend. Filloi me djegien e mandateve nga opozita, ndërsa ka nisur me mos-funksionimin e Gjykatës së Lartë ku ka shumë dosje që nuk janë hapur. Edhe reforma në drejtësi u miratua me konsensus nga të gjitha palët, ndërsa sot kemi funksionim jo të plotë të institucioneve. Kam kritika edhe për SPAK, që duhet të kishte rezultate sot. Duhet të flasim për korrupsion politik. Kemi krizë të vjetër, ku të gjithë aktorët politikë bëjnë cic mice e ata janë aktorë kryesorë.

Ambasadorja e SHBA thotë se Rama, Basha, Meta janë lidera shteti tha. Sigurisht që koronavirusi ka bërë që të shtyhen shumë procese politike. Kriza politike jurdike është e thellë dhe shkaku kryesor është mungesa e besimit që palët kanë tek njëri tjetri. Në Shqipëri ka mungesë besimi, të gjitha palët kanë mungesë besimi tek njëri tjetri. Për momentin është ngrirë politika “e egër”, por parashikoj që në shtator them se do ketë “luftë” politike”, u shpreh Murati.

Për Muratin, bota politike shqiptare jeton në një tjetër univers paralel e nuk ka lidhje me popullin e thjeshtë shqiptar.

“Bota polittike jeton në një univers paralel. Kjo justifikon faktin se shqiptarët janë jo entuziast për atë që mund të bëjë politika në vend. Prandaj, qindra e mijëra shqiptarë duan të ikin. Kjo nuk është normale. Sepse ne jemi vend që duam të hyjmë në BE, jemi pjesë e NATO-s, por sic e thashë klasa politike ka pak lidhje me hallet e shqiptarëve. Politika nuk sjell besim tek qytetarët. Kjo i dedikohet edhe faktit që këtu nuk ka drejtësi. Nëse do kishte drejtësi këtu, ne në raportet e BE dalim vendi më i korruptuar në Europë, kurse nuk kemi politikanë të dënuar per korrupsion. Mos-funksionimi i reformës në drejtësi ka bërë që të kemi këtë revansh politikanësh. Unë besoj se reforma në drejtësi ka qëllimet e mira, por produkti i reformës në drejtësi tani ka dhënë vetëm rezultate imagjinare”, deklaroi gazetari Murati.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: