Nga: MENTOR KIKIA*
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, fl et gjuhën shqip. Madje edhe stafi i tij i ngushtë flet i gjithi gjuhën shqipe. Nuk mund të themi se kjo bën që ata të jenë stafi më i mirë që ka dërguar ndonjëherë Departamenti i Shtetit në Tiranë, pasi të gjithë ambasadorët dhe stafi i tyre e kanë kuptuar mirë shqipen, edhe pa e ditur gjuhën tonë. Por, për herë të parë, stafi drejtues i Ambasadës Amerikane në Tiranë, flet i gjithi shqip. Dhe kjo bën që, jo ata të komunikojnë më mirë, por ne t’i dëgjojmë më mirë, t’i dëgjojmë në gjuhën tonë, pa qenë nevoja tua përkthejmë deklaratat, proces me të cilin kemi pasur gjithmonë probleme, pasi i kemi përkthyer në disa versione, ose më saktë siç na e ka pasur ënda(më saktë, siç ua ka pasur ënda palëve politike).
Të folurit shqip, në fakt mund të jetë lehtësi e madhe për diplomatët amerikanë. P.sh, në Prishtinë, ish-ambasadorja Jacobson, kishte mësuar disa fjalë dhe shprehje, si p.sh “mos e dhisni punën më”, të cilën iu desh ta përdorte para gjithë klasës politike vendase, që ishte gati të kapte sërish pushkët, pasi nuk po binte dakord për të krijuar qeverinë e re.
Por, të folurit shqip nuk është thjeshtë një çështje komunikimi. Është edhe çështje e përdorimit të gjuhës. Kur themi se “flet shqip”, ne kemi parasysh edhe që flet në gjuhën shqipe, por edhe që flet copë, troç, ashtu siç duhet, pa doreza, pa diplomaci, në këtë rast. P.sh, ambasadori Lu, i cili ishte ftuar në një takim me drejtuesit e rinj vendorë(disa kanë nga 3-4 mandate, gjithsesi), i habiti jo pak kryetarët e bashkive teksa u foli shqip, në të dyja kuptimet. Në fakt ata nuk u habitën nga gjuha shqipe që foli ambasadori, por nga ajo që ai tha në shqip: “Nëse këtu ju keni ardhur me “BMW”, “Mercedez” apo “Audi” të zinj, mendoni nëse ata që ju votuan duan që t’i përdorni kështu paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e mirë se dyqani i bukës apo zyra e postës, në zonën tuaj, sërish mendoni nëse mund të përdoreshin më mirë këto para për të mbledhur plehrat apo rindërtuar shkollat. Na është thënë nga qeveria se reforma territoriale u miratua për të përmirësuar shërbimet publike dhe rritur cilësinë e administratave vendore dhe jo për të fituar zgjedhjet. Tani është koha që qeveria të na e vërtetojë këtë”.
Tema e takimit, në fakt, nuk kishte lidhje fare me këtë që tha ambasadori, por ai kërkoi ndjesë që në fillim dhe tha se unë do të flas për atë që dua unë.
Nuk po abuzojmë dhe nuk po e lidhim me faktin se stafi i ambasadës në Tiranë flet shqip, por në studion e “Zërit të Amerikës”, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, vetëm një natë përpara ishte pyetur shqip në një intervistë. Mes shumë pyetjeve “shqip”, ishte edhe ajo që lidhej pikërisht me luksin e jetesës së politikanëve të lartë në Shqipëri.
P.sh, gazetarja i tha se në Shqipëri njerëzit janë të varfër, shumica jetojnë me më pak se 5 USD në ditë, dhe se vetëm në Korrik, në Gjermani u regjistruan 7 mijë azilkërkues… dhe se shumë më shumë të tjerë duan të ikin, jo të ikin për punë sezonale, por të ikin, të zhduken fare nga vendi i tyre… Pra në këto kushte, a prekeni ndonjëherë, apo ndjeheni keq, ju që jetoni në luks dhe ekstravagancë?
Për çfarë luksi e keni fjalën juve? – u përgjigj Meta me nervozizëm – unë as makinë s’kam, e kam të shtetit.
“Zëri i Amerikës” nuk është një radio private me seli në Uashington DC, programacioni i të cilës varet edhe nga reklamat. Ajo është zëri zyrtar i SHBA-së në botë. Ndërsa po konsumonte një vizitë të sforcuar në zyrat e kongresit amerikan, Meta u përball me një intervistë, për pyetjet e të cilës nuk ishte përgatitur, ose më saktë nuk i priste.
Diplomacia amerikane është një pikë e rëndësishme referimi për Shqipërinë, aq më shumë për shqiptarët e thjeshtë. Në të vërtetë kështu ka qenë qëkurse u krijua shteti shqiptar, me përjashtim të pauzës komuniste. Nuk ekzagjeroj po të them se shqiptarët mund të kenë më shumë besim të ambasada e SHBA-së, sesa tek qeveria e tyre dhe kjo na bën një rast unikal në këtë drejtim. Për këtë arsye ka pasur dhe ka shumë rëndësi mënyra e komunikimit të saj me politikën tonë, në pushtet apo opozitë qoftë. Padyshim që ne e dimë se politika amerikane, në radhe të parë flet gjuhën e interesave të saj, por fatmirësisht, në Shqipëri e Kosovë interesat e saj kanë qenë edhe tonat.
Gjithsesi, aktualisht, ne duhet ta përshëndesim ambasadorin Lu dhe stafin e tij që janë lodhur dhe kanë mësuar gjuhën shqipe, por më shumë që e përdorin atë për të folur “shqip”, pa u sforcuar të tregojë përralla me krimba mëndafshi që hanë gjethet.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: