FIER

Ish-kryeministri Sali Berisha iu ka kërkuar demokratëve të Fierit të mos pranojnë asnjë ndarje mes tyre, në ‘të Bashës’ dhe ‘të Berishës’. Ai theksoi se nisma e tij nuk është për veten e tij, por për PD-në.

Berisha tha se e ka mbështetur Bashën më shumë se të gjithë dhe se asnjërit, kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend se ‘kryetari ynë një ditë, i marrë peng në mënyrë absolute do mundej që pa pyetur asnjë njeri, asnjë forum, asnjë nen statuti, asnjë parim mbi të cilin është ndërtuar PD-ja del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD-së’.

“Ju ftoj që ky debat të zhvillohet midis njerëzve që iu besojnë vlerave, që marrin përgjegjësi, midis njerëzve për shpresën për të ecur të sigurt drejt fitores. Natyrshëm unë kuptoj se dhjetëra, mijëra anëtarë mbështetës të PD janë të revoltuar pafundësisht nga akti i pabesë i Lulzim Bashës, por unë ju ftoj ju të mos pranojmë në asnjë mënyrë asnjë lloj ndarje midis nesh, të Bashës dhe të Berishës, të Berishës dhe të Bashës, ju jeni njerëzit e vlerave, të besimit, të lirisë, të të ardhmes së vendit. Atyre që janë në këtë sallë dhe kanë mbështetur Lulzim Bashën, të tjerëve që nuk janë këtu dhe kanë mbështetur Lulzim Bashën, të tretëve që nuk e duan Sali Berishën, u them vetëm një fjalë, më shumë se të gjithë ju Lulzim Bashën e ka mbështetur Sali Berisha, ndaj ju keni mbështetur kryetarin e PD-së. Unë kam mbështetur kryetarin e PD-së. Asnjëri nga ne, kurrë ndonjëherë nuk i shkonte ndërmend se kryetari ynë një ditë, i marrë peng në mënyrë absolute do mundej që pa pyetur, pa pyetur asnjë njeri, asnjë forum, asnjë nen statuti, asnjë parim mbi të cilin është ndërtuar PD-ja del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD-së. Miqtë e mi secili nga ju ka të drejtë të shtrojë një pyet, Doktori e ka për vete këtë nismë apo për PD? Unë ju jap fjalën e nderit se e kam kryekëput për PD-në, për anëtarësinë e PD-së. Ne kemi një fjalë të urtë, e cila thotë ‘më mirë qiri i fikur se sa qiri i fëlliqur’. Ndaj dhe ne, ndalemi këtu. Ndalemi këtu”, tha Berisha.

Duke iu referuar vendimit të DASH për shpalljen ‘non grata’ Berisha theksoi më tej se e ka çuar çështjen në gjykatë për shpifje, jo për vendimin.
“Çështjen time personale unë do ua shpjegoj ju, por ama që në krye të radhës unë nuk kam dashur të implikoj njeri mbi tokë përveç vetes sime. Kam vendosur të nesërmen që shpalli vendimin sekretari i shtetit, ta çoj në gjykatë për shpifje. Jo për vendimin, vendimin mbaje zotëri. Vendimin e ke të bazuar mbi shpifje dhe urdhëro të lutem sill në sallën e gjyqit dhe kjo ishte i gjithë vendimi im. Pse erdhi ky vendim? Në letrën që i kam shkruar atij vetëm një orë pas vendimit, shkruaja zoti sekretar kjo është vepër e multimiliarderit George Soros, korruptorit kryesor të politikës. Po ç’kishte Sorosi me Berishën? Multimiliarderi Soros harton në Beograd projektin në pamje të parë të ndryshimit të kufijve, në të vërtetë të shpërbërjes së Kosovës, shtetit të pavarur të Kosovës. Ishte dhënë para e madhe dhe gojët ishin mbyllur, por goja ime nuk mbyllej kurrë për interesin kombëtar. Dhe unë e kundërshtova. Ata që paraqitën në konferencë shtypi projektin ua bëra të qartë që është tradhti kombëtare, është shkelje e çdo akti mbi të cilin është ngritur pavarësia e Kosova”, deklaroi ish-kryeministri në “Foltoren” e Fierit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb